Fitim Halimi, 21-vjeçar nga Prizreni, ka krijuar një lavatriçe elektrike, shkruan Gazeta Sinjali.
Në adresë të Sinjalit, Halimi ka dërguar një video ku shpjegon se si funksionon lavatriçja e gjithashtu ka folur rreth këtij produkti. Ai thotë se ky produkt, u ndihmon më së shumti të verbërve.
“Ky produkt quhet “See by listening V2” dhe shërben që të gjitha operacionet e lavatriçes t’i shpjegojë me zë. Në këtë formë personat e verbër apo edhe ata me probleme me shikimin do ta kenë të mundshme përdorimin e lavatriçeve”, shprehet ai për Sinjalin.
Halimi thotë se ky produkt përmban 2 zërues për lirimin e zërit, 2 porte për rimbushjen e baterive me kapacitet 10000mah, butonin për fikje dhe ndezje, rrotullën për rritjen apo zvogëlimin e zërit, një dalje 5V 3A për shfrytëzim të çfarë do lloji si dhe të gjitha zërimet në gjuhën shqipe.
“Përmes një kablloje bëhet lidhja e pajisjes me lavatriçen dhe që nga momenti i ndezjes së pajisjes, përdoruesi e përdor lavatriçen si gjithnjë, por tashmë arrin që programin aktual ta dëgjoj me zë! Jemi duke kërkuar persona të cilët duan të ndihmojnë në zhvillimin e më tepër të këtyre pajisjeve në forma financiare apo në çfarë do lloj forme te ndryshme që të mund t’ua dhurojmë këto pajisje personave në nevojë”, u shpreh Halimi për Sinjalin.
Halimi tregon se ka përfunduar Mekatronikën në Universitetin e Prishtinës dhe Automatic Control në SUT-Poloni,Katowice.
Discussion about this post