Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa pritet të takohen të hënën në orën 14:00. Me ta do të jetë edhe partneri i vogël i koalicionit, Fatmir Limaj. Janë paralajmëruar se do të diskutohen shkuarja në Washington dhe çështja e Presidentit. Sot, doli edhe LDK-ja se e kërkon pozitën më të lartë shtetërore.
Hashim Thaçi është ende President por partnerët e koalicionit kanë nisur të bëjnë plane se si ta marrin pozitën më të lartë shtetërore nëse Shefi i Shtetit shkon në Hagë pasi ndaj tij ka një propozim aktakuzë e cila përcaktohet deri në fund të tetorit.
Lidhja Demokratike e Kosovës po e kërkon pozitën më të lartë shtetërore pak ditë pasi Ramush Haradinaj tha se vendi shkon në zgjedhje nëse nuk e çojnë në vendin ku aktualisht është Hashim Thaçi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund ta bllokojë zgjedhjen e Presidentit edhe me kushtin kur LDK e PDK bëhen bashkë edhe me minoritetet.
Sidoqoftë, Isa Mustafa ka paralajmëruar se në takimin e së hënës do të diskutohet edhe për koordinimin e dialogut që pritet të vazhdojë në Washington më 4 shtator.
Takimi pritet të ndodhë pasi Ramush Haradinaj dhe Kryeministri Avdullah Hoti kanë pasur përplasje përmes distancës. Fillimisht, lideri i AAK’së tha se s’i beson Hotit në dialog. Ky i fundit tha se Kosova s’i ka dy e tre por një Kryeministër.
Më vonë pati edhe një reagim të Avdullah Hotit, i cili tha se në Bruksel s’ka folur për autobus derisa Ramush Haradinaj tha se mirë që Kryeministri s’ka folur për autobusë në Bruksel pasi s’është Shef i Stacionit për është Kryetar Qeverie.
Ramush Haradinaj kishte nisur akuzat ndaj Hotit pasi ky i fundit nuk e mori Selim Selimin në dhomën ku po mbahej takimi në Bruksel me Aleksander Vucicin. Ish-Kryeministri rivalizoi me Shefin e Ekzekutivit aktual kur shkoi në Karaçevë, një ditë pasi forcat serbe shkelën në tokën e Kosovës, dhe kërkoi reagim të institucioneve.
Discussion about this post