Numri i familjeve me gjendje të rëndë ekonomike që marrin asistencë sociale nga buxheti i Kosovës arrin në rreth 25 mijë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin “Statistikat e Mirëqenies Sociale, tremujori i dytë 2020”, janë 99 mijë e 712 anëtarë që vazhdojnë të jetojnë vetëm me paratë nga ndihmat sociale.
Numri më i madh i tyre është në Mitrovicë, pasuar nga Prishtina dhe Vushtrria.
Shuma mujore e ndihmës sociale e cila iu paguhet familjeve në varfëri ndryshon, duke filluar nga 50 euro deri 150 euro.
Baza e politikave sociale në Kosovë përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e moshës dhe kontribut-dhënëse, pensionimet e parakohshme, beneficionet për veteranët e luftës si dhe kategori tjera sociale.
“Nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 140,917 përfitues, nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 49,547 përfitues, nga skema për pensionet familjare janë 3,663 përfitues, nga skema për pensionet invalidore janë 91 përfitues, nga skema për pensionet e Trepçës janë 2,453 përfitues, nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1,133 përfitues, nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 572 përfitues, nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1,988 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18,950 përfitues, nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 3,071 përfitues. Kurse, nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13,640 përfitues dhe nga skema për veteranët e luftës janë 38,218 përfitues”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Telegrafi.
Nga të dhënat zyrtare, prezantuar nga Banka Botërore në Kosovë, mbi 18 për qind llogaritet varfëria e përgjithshme, kurse mbi 5.1 për qind varfëria ekstreme – që tregon se njerëzit nuk mund t’i përmbushin nevojat themelore në ushqim.
“Shkalla e varfërisë është më e larta në mesin e ekonomive familjare, që burim kryesor të të ardhurave kanë ndihmat sociale. Megjithëse shumica e të varfërve janë të përqendruar në ekonomitë familjare te të cilat burimi kryesor i të ardhurave të tyre vjen nga rroga në sektorin privat, që është 34.7 për qind, rreth 11.8 për qind e të varfërve raportojnë të ardhura nga asistenca sociale si burimi kryesor i të ardhurave familjare”, thuhet në raportin e Bankës Botërore për varfërinë, përcjell Telegrafi.
Sipas ASK-së, mbi 53 për qind e familjeve në Kosovë, shpenzimet për strehim dhe banim i paraqesin si barrë të rëndë.
53.4 për qind e ekonomive familjare, shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e rëndë financiare, për 36.5 për qind e ekonomive familjare shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e lehtë financiare përderisa për 10.1 për qind e ekonomive familjare shpenzimet për strehim nuk paraqesin barrë financiare”, thuhet në raportin “Të ardhurat dhe kushtet e jetesës”.
Në fund, hulumtimet e bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, kanë theksuar se vlera e asistencës sociale për një muaj nuk përshtatet me nevojat e familjeve në bazë të madhësisë apo strukturës së tyre. /Telegrafi/
Discussion about this post