Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur arsyet pse nuk kanë dalë shtesat prej 300 eurove për punonjësit e SHSKUK-së.
Në njoftim thuhet se, listat e ardhura në Ministrinë e Shëndetësisë nga SHSKUK kanë pasur mospërputhshmëri me kriteret e vendimet të Qeverisë dhe udhëzimet e saj, transmeton Telegrafi.
“MSH dëshiron të njoftojë se arsyeja e mos pagesës deri më tani e shtesës prej 300 eurove për kategoritë sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 05/18 të datës 29.07. 2020 për punonjësit e SHSKUK-së është se listat e ardhura në MSh nga SHSKUK kanë pasur mospërputhshmëri me kriteret e vendimit të Qeverisë dhe udhëzimet e saj. Për këtë arsye, SHSKUK si organizatë buxhetore, i ka kthyer listat që të rishikohen nga menaxherët që njëjtat të jenë konform vendimit të Qeverisë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se përderisa nuk bëhen rishikimet e duhura në këto lista, nuk do të mund të kryhen pagesa.
Siç dihet, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtesa mujore në vlerë prej 300 euro ka të bëjë me mjekët, infermierët dhe teknikët të cilët janë marrë drejtpërdrejt me trajtimin e pacientëve me Covid-19 dhe me kategoritë e profesionistëve nga institucionet si:
- IKSHPK-ja,
- Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut,
- Departamenti i Shëndetësisë në Burgje,
- SHSKUK dhe Spitalet e përgjithshme si njësi të saj si dhe
- QKMF-të në Komunal.
Sipas vendimit, organizatat buxhetore (të listuara më lart) janë përgjegjëse të përgatisin dhe aprovojnë me shkresë përmes Zyrtarit Kryesor Administrativ dhe Zyrtarit Kryesor Financiar të organizatës listat e personelit të tyre shëndetësor dhe të njëjtat t’i përcillen Ministrisë së Shëndetësisë, e cila pasi të konstatojë përputhshmërinë me kriteret e vendimit dhe udhëzimet e saj, i dërgon ato lista në Thesarin e Kosovës (Ministri të Financave) për procesim sipas Sistemit të Pagave, përkatësisht për pagesë retroaktive për dy muaj së bashku me pagën mujore të muajit gusht.
Discussion about this post