Ani se e gjithë bota po vazhdon të punojë për rimëkëmbjen e ekonomisë, e cila u godit rëndë shkaku i pandemisë së koronavirusit, Qeveria e Kosovës edhe pse ‘gojën plotë’ premtime për rimëkëmbje ekonomike, nuk e ka në plan t’i ndalë milionat për asfalt.
Kjo pasi, në mesin e shumë projekteve të mëdha, dy nga to veçse kanë marrë miratimin e Trupës Drejtuese Ndërministrore, ka bërë të ditur Ministria e Infrastrukturës.
Në një njoftim për media, MI njoftoi se se Trupa Drejtuese Ndërministrore ka aprovuar vazhdimin e punimeve në autostradën Gjilan-Dheu i Bardhë dhe ka bërë aprovimin e procedurave për sigurimin e fondeve për autostradën Prishtinë-Merdare.
Edhe pse sektori privat tash e sa muaj në Kosovë, po pret një injektim të milionave nga Qeveria për të shmangur kolapsin, Ministria e Infrastrukturës nuk e ka plan t’i ndalë milionat për asfalt.
Kjo pasi, përveç dy projekteve të lartëcekura, në faqen zyrtare të prokurimit, janë publikimet për shpallen e tenderëve: Zgjerimi i rrugës Komoran-Skenderaj= 13 milionë euro; ndërtimi i kyçjeve në Autostradën R6= 8 milionë euro; zgjerimi i Rrugës Rajonale Mitrovicë – Pejë (Lloti Mitrovic-Skendederaj ) dhe ndërtimi i rrugës Drelaj – Leqinat.
Edhe pse shpenzimet për asfalt nuk i ndali as në kohë pandemie duke planifikuar të shpenzoj rreth 200 milionë euro, kjo qeveri po planifikon të intervenojë edhe në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ditë më parë njoftoi se është parë e domosdoshme të bëhet rishikimi i KASH-it 2021-2023.
Kjo sipas saj, pritet të ndodh në mënyrë që të reflektohen trendët makroekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe që kjo kornizë të merret parasysh nga organizatat buxhetore në procesin e përgatitjes së buxhetit për vitin 2021.
Deputeti I VV’së, Hekuran Murati, ditë më parë kritikoi Qeverinë Hoti, duke thënë se kjo qeveri ka prioritet asfaltin e jo ndihmën ndaj bizneseve e qytetarëve.
“Kjo qeveri ka vendosur mos të shkurtojnë asfaltin, t’i vazhdojnë projektet ashtu qysh janë. E kemi parë që në javën e parë kur kanë shpallur tenderë për 200 milionë euro asfalt dhe kështu kanë prioritet asfaltin”, tha Murati
Për analistët në vend, mos pezullimi I investimeve në asfalt, po shihet si veprim paradoksal dhe rruga më e lehtë për abuzim me paranë publike
Eksperti i ekonomisë, njëherit ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për Syri.net Kosova, tha se është paradoksale në këtë kohë kur tërë bota është në këmbë për të shtrirë dorën tek qytetari dhe bizneset, në Kosovë shpenzohet paraja pa një llogaridhënie.
Është mëse e vërtet që koalicioni aktual qeveritar e dëshmon krizën e vet, në rend të parë në vend që të jetë një koalicion që do të ishte në funksion të zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit social, është shumë më tepër duke u përqarë ose luftuar për të grabitur sesa për të zhvilluar. Në këtë drejtim vetë fakti që kemi ligje bazike të cilat nuk kanë kaluar siç është ai për rimëkëmbjen ekonomike e dëshmon më së miri se në çfarë krize është koalicioni.
Tutje, Gërxhaliu shtoi se duhet të kuptohet që qeveria aktuale ka trashëguar probleme/ projekte nga e kaluara, që do të jetë shumë e vështirë që ato të zgjidhen, pasi e njëjta nuk e ka fuqinë të i ndalojë ato.
“Në vend që të jemi të orientuar në rimëkëmbje ekonomike në minimizim të pasojave që ka shkaktuar pandemia, në zhvillim ekonomik dhe në stabilitet social edhe më tutje investimet nga e kaluara në infrastrukturë në veçanti në asfalt janë duke dominuar.Qeveria aktuale si duket nuk ka fuqi të i ndërpresë ose ti pezulloj për ditë më të mira, dhe kjo e dëshmon më së miri që vertet Kosova, jo që po ballafaqohet me pandemi ekonomike, por e ka një pandemi politike sociale e cila është duke e ngulfatur ardhmërinë dhe shpresën e qytetarëve për një të ardhme më të mirë.
Gërxhaliu theksoi se problematike nuk janë vetëm projektet e trashëguara, por, projektet e reja që kanë të bëjnë prapë me asfalt siç janë ajo në drejtim të Gjilanit e Merdares, por, edhe rrugët e tjera që vërtetë shpiken çdo ditë e më tepër.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, për Syri.net Kosova, shtoi se tenderomania e së kaluarës është duke u trashëguar edhe nga kjo qeveri, dhe për t’i pezulluar këto projekte, Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, sipas Gërxhaliut nuk e ka fuqinë ta bëjë një gjë të tillë, por është kryeministri Avdullah Hoti ai i cili duhet ta arsyetojë pozitën e vetë.
Nuk mund të jetë vetëm ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ajo që mund ti ndaloj , pasi ajo nuk e ka fuqinë që ti stopoj këto trende të investimeve në asfalt , por besoj që duhet vërtet të rritet përgjegjësia institucionale, dhe në këtë drejtim kryeministri Hoti, duhet ta arsyetoj pozitën e vetë dhe ta caktojë prioritet mbështetjen e sektorit privat përmes zhvillimit ekonomik, të i mbështes qytetarët e Kosovës, dhe të eliminohen efektet negative të cilat do ta kanosin vendin në të ardhmen. Si duket tenderomania e së kaluarës është duke u trashëguar edhe këtë qeveri dhe e tëra kjo e dëshmon që vërtet pritjet e qytetarëve çdo ditë e më tepër po veniten apo zbehen.
Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për Syri.net Kosova tha se për fat jo të mirë ne si popull jemi bërë kampion të imunitetit ndaj abuzimeve që na e bëjnë qeveritë, ku secila qeveri që vjen në pushtet është më abuzuese dhe më e dobët për nga ana kadrovike.
Nga Qeveria Hoti së paku kam pritur politika të mirëfillta ekonomike, por, lidershipi në Kosovë ka zgjedhur rrugën më të lehtë për të abuzuar me paranë publike, për faktin që tenderomania është rregull e pashkruar për faktin që mito është kushti i pashkruar për të nënshkruar kontratën një operator privat.
Sipas tij, në vend që qeveria Hoti të fokusohet në menaxhimin e pandemisë, ku dihet që situata është jashtë kontrollit në bazë të shifrave alarmante të të infektuarve dhe të vdekjeve njeherit sektori privat vetëm ka filluar reduktimin e fuqisë punëtore për faktin që nuk ka aktivitet ekonomik, si rezultat i masave kufizuese nga ana e qeverisë.
“ Me këtë dua të theksoi që qeveri në vend që të mirret me problemin aktual sillet sikurse të mos ishim prekur fare nga pandemia, ku e giithë bota po përballet dhe është e shqetësuar dhe kanë marr masa të rimëkëmbjes ekonomike, derisa Qeveria Hoti në ligjin për Covid-19 përveq që është zotuar që do e mbuloj vaksinimin, i giithë ligji është me masa penalizuese ndaj qytetarit dhe biznesit qe ky ligj do reflektoj në rënien e aktivitetit ekonomik e cila do të rezultoi në rritje të papunësisë dhe ulje të mirëqenies tek qytetari.”
Ndryshe, kryeministri i tanishëm Avdullah Hoti, kohë më parë ishte deklaruar kundër investimit të miliardave në autostrada.
Por, kjo ndryshoi shumë shpejt, pasi pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë ‘Kurti’, Hoti në programin e tij qeverisës e kishte rikthyer idenë e investimit të miliarda eurove në asfalt, kjo si duket për t’i kënaqur apetitet e partnerit të tanishëm të qeverisë, AAK-së e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, e cila në kohën sa ishte kryeministër kishte nisur projektin e Autostradës së Dukagjinit e cila pritet të kushtojë se paku 1 miliard euro prej të cilave 560 milionë euro për kryerjen e punimeve dhe pjesa tjetër për shpronësim të 40% të segmentit të autostradës e cila bie në prona private.
Kujtojmë se më 15 prill 2018 viti u mbajt ceremonia e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë.
Pjesa më e madhe e kësaj autostrade parashihet të shkojë nëpër toka shoqërore të pabanuara dhe nga përllogaritjet e para ishte bërë e ditur se ka një kosto mbi 200 milionë euro.
Discussion about this post