Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha i ka dalë në mbrojtje kryetarit të partisë së tij, pas akuzave të emisarit amerikan për dialogun se ai është antiamerikan.
Richard Grenell reagoi dje ndaj deklarimeve të Albin Kurtit se nuk do ta respektojë marrëveshjen e Uashingtonit, pasi të marrë detyrën në qeveri.
“Një gjë është e sigurt, ju gjithmonë mund të llogarisni në Kurtin që të jetë kundër SHBA-ve. Ai ishte kundër ideve të Obamas, ishte kundër ideve të Bushit. Simbolika nuk paguan qiratë, atë e bëjnë vendet e punës”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Por, deputeti Basha thotë se ai është shqiptaro-amerikan dhe ndjehet krenar që e mbështet Kurtin, derisa Grenell vazhdon ta mbrojë presidentin serb.
“Unë jam një shqiptaro-amerikan dhe krenar që e përkrahi Albin Kurtin i cili është 10 herë më shumë amerikan sesa Richard Grenell. Albin Kurti mbështet dhe mbron interesat e Kosovës, derisa Grenell ndihmon Aleksandër Vuçiqin”, ka shkruar Basha në Twitter.
Ndryshe, Kurti kishte thënë se marrëveshja e Uashingtonit është nënshkruar nga një kryeministër jo legjitim duke iu referuar Avdullah Hotit si nënshkrues i palës kosovare.
“Ne nuk kemi detyrime për zotimet e kryeministrit të paligjshëm të Kosovës kur të kthehemi në detyrë. Nënshkrimi i tij poshtë teksteve jo koherente dhe jo transparente është kundër vullnetit të popullit, rendit demokratik dhe shkel Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Ato nuk do të ratifikohen në Parlamentin tonë”, ka thënë ai.
Discussion about this post