Kreu i Nismës Socialdemokrate, partnerit të koalicionit qeverisës, ka thënë të mos jetë në dijeni për mundësinë e largimit të Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës, siç është raportuar të hënën në mediat online.
Pas një takimi mes partnerëve të koalicionit qeverisës, Limaj u shpreh se nuk ka informatë nëse Lista Serbe do të dal nga Qeveria Hoti.
“Takim i zakonshëm ndërmjet partenerëve te koalicionit.Nuk e di nëse Lista Serbe do të dalë prej koalicionit, nuk e kam këtë informatë”, ka thënë ai.
Portali Indeksonline raportoi sot se Lista Serbe, e udhëhequr nga Goran Rakiq dhe me influencë direkte nga Beogradi zyrtar, është duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë e rrëzimit të Qeverisë Hoti. Sipas këtij mediumi, Lista Serbe ka shprehur pakënaqësi me kryeministrin Hoti për mos-realizimin e “disa projekteve të bllokuara nga ekzekutivi”.
Kryeministri Avdullah Hoti është takuar sot me liderët dy partnerëve të koalicionit qeverisës, Ramush Haradinajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limajn e Nismës Socialdemokrate.
Limaj ka deklaruar se takimi ishte “i rregullt” dhe në kuadër të një nisme të partnerëve të koalicionit për t’u takuar më shpesh.
Për dallim nga Limaj, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk foli fare para medieve. Ai tha shkurtimisht se po shkonte në një takim tjetër pune.
Discussion about this post