Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e 87 milionë eurove nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, prej tyre, 60 milionë euro janë ndarë për subvencionimin e pagave për bizneset aktive.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë që i gjithë fokusi do të shkojë drejt sektorit privat, pasi sipas tij, ka pasë humbje shumë më të mëdha gjatë pandemisë.
“Ne po mundohemi, sa kemi kapacitete që të gjithë orientimin ta fokusojmë në sektorin privat. Këto mjete që do të ndahen, vendimi i qeverisë e thotë qartë, kemi mësuar prej Pakos Emergjente kur kanë qenë kriteret shumë të hapura dhe e saktëson që këto mjete do të ndahen për ndërmarrjet private aktive. Në rast se ka ndërmarrje të reja, do të merret numri i punëtorëve të korrikut”.
“Këto mjete, 60 milionë do të ndahen për kokë të punëtorëve, varësisht prej numrit të punëtorëve që i ka një ndërmarrje private – ai numër do ta diktojë sa do të jetë shuma për një person”.
Krasniqi në Info Magazine në Klan Kosova, ka thënë që kjo do të realizohet shumë shpejt dhe prej këtij vendimi, përjashtohen ndërmarrjet publike dhe ato që e kanë tregun e rregulluar.
“Shumat nuk i ndahen punëtorëve por ndërmarrjes. Mjetet shkojnë në llogari të pronarit, me qëllim që të subvencionohen pagat e punëtorëve dhe të ruhet fuqia punëtore. Për me funksionu mirë një ndërmarrje private, është normale që duhet të kujdeset ai që i ka punësuar punëtorët.
Krasniqi ka theksuar se Qeveria Hoti ka vepruar me mjeshtëri gjatë pandemisë, sepse sipas tij, sa i përket financave asgjë si ka munguar sistemit shëndetësor.
“Ne kemi planifikuar këtë vit me pasë rritje reale ekonomike rreth 4.5%. Për shkak të pandemisë, fillimisht kemi menduar që ndikimi pandemik do të jetë dy tre muaj dhe në fakt, ne po e shohim jo vetëm në Kosovë që rënia ekonomike është më e madhe”.
“Në gjithë botën, edhe në Amerikë, disa biznese mbyllen dhe s’mund as shtetit t’i mbajë dhe çka po bëjmë ne përkundër që jemi ekonomia më e vogël. Mos të harrojmë se prej 2.3 miliard, që ka qenë buxheti fillestar, ne kemi ritur shpenzimet për shkak të pandemisë”.
“Humbjet janë rreth 600 milionë. Qeveria është dashur të bëjë njëfarë mjeshtrie; ne i kemi ndarë çka ka pasë nevojë Ministria e Shëndetësisë për pajisje, barna dhe elemente tjera që nevojitet për ruajten e shëndetit të qytetarëve – asnjë gjë nuk i ka munguar sektorit në kuptimin financioar për t’u dalë në ndihmë dhe për ta përballuar pjesën shëndetësore”.
Discussion about this post