Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në mbledhjen e dy qeverive ka goditur kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke thënë se kryeministri aktual i Kosovës, Avdullah Hoti, ka arritur t’i rikthejë aty ku kanë qenë raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Gazeta Express.
Rama ka thënë se faktet dhe koha treguan se heqja e barrierave të dialogut tregoi se Kosova kishte qenë vetë problemi.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, çfarëdo ikje nga dialogu krijon vetëm fitore në rrjete sociale e media, por e largon Kosovën nga fitorja reale dhe e dobëson në pozicionin ndërkombëtar.
“E përgëzoj qeverinë e Kosovës qasjen konstruktive në dialog me Serbinë dhe koordinimin me BE-në dhe ShBA-në. Duke hequr çdo pengesë për rinisjen e dialogut që në fakt koha dhe faktet treguan se ishte një pengesë që Kosova fatkeqësisht ia vuri vetvetes. Dialogu mbetet i vetmi instrument për të fituar çështjen e shtruar për zgjidhje. Çdo bishtnim ndaj dialogut krijon vetëm fitore iluzore në rrjetet sociale dhe në mexhlisin mediatik lokal por e largon fitoren reale dhe e dobëson pozicionin e Kosovës në raport me botën”, ka thënë Rama.
Ai tha se për pak kohë qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti arriti të restaurojë krizën e madhe që pati Kosova.
“Mendoj që sot jemi në kushtet kur mund t’i shohim para syve qoftë pasojat e ndërmarrjes së rrugëve pa rrugë qoftë edhe rezultatet e marrjes së një rruge me perspektivë në shumë pak kohë u arritë të restaurohej një krisje shumë e madhe dhe u arrit të hidhej një hap tjetër”, tha Rama.
Ai e quajti turp për BE-në mosliberalizimin e vizave për Kosovën.
“Për liberalizimin e vizave për Kosovës, nuk më mbetet vetëm të përsëris që mosliberalizimi i vizave për Kosovës është një turp i BE-së, i pajustifikueshëm për sa kohë kjo mbetet në fuqi jo sepse Kosova nuk ka bërë detyrat por për arsye se Kosova është marrë peng i dinamikave të brendshme të vendeve të caktuara të BE-së”, u shpreh ai. /GazetaExpress/
Discussion about this post