Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka bërë thirrje që të kalojë projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Ai ka thënë se buxheti për rimëkëmbjen ekonomike gati është shpenzuar dhe se duhet kaluar në Kuvend projektligji për të hapur mundësi për fonde shtesë.
“Kur e shikon pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike prej 365 milionë. Janë harxhuar 136-137 milionë euro tashmë vetën për pakon emergjente dhe ende nuk ka përfunduar, ende është pjesa e ankesave. Janë ndarë 5 milionë euro për arsimin, për të krijuar mundësi për fillim të vitit shkollor. Janë ndarë dhjetë milionë euro për komunat për të rimbursuar shpenzimet që kanë pasur. E po ashtu këto 87 milionë euro dje për këtë program të rimëkëmbjes ekonomike. Krejt çka ka qenë e mundur të bëhet është bërë tashme, duke mos rrezikuar bilancin bankar e parametrat. Mund të themi se kemi shfrytëzuar gjitha mundësitë për të ndihmuar sektorin privat, bile kemi hyrë pak në bilanc bankar, me supozim se 50 milionë eurot e sivjetme nga Komisioni Evropian janë të sigurta”, ka thënë Krasniqi.
“Gjitha fondet e parapara për programin e rimëkëmbjes janë shpenzuar”.Krasniqi ka thënë se humbjet në ekonomi si pasojë e pandemisë janë më të mëdha se që ishte menduar fillimisht.“Kemi rreth 300 milionë euro më pak të hyra tash, kemi edhe tre muaj”, ka shtuar ai.
Ai ka shtuar se duhet bërë ndryshime ligjore për të pasur çasje në fondet shtesë dhe kjo është e mundur vetëm me miratimin e Projektligjit për Pakon Emergjente.“Të aprovohet ai ligj, pasi mundëson thithjen e mjeteve që nevojiten për programin e rimëkëmbjes ekonomike, e mundëson edhe pjesën e Trustit”, ka shtuar Krasniqi, duke thënë se me projektligjin do të ngadalësohej rënia ekonomike.
Ai ka thënë se është mirë të kalohet ligji në lexim të parë, e më pas të ulen grupet parlamentare e të flitet për amandamentime të mundshme.
Sa i përket tërheqjes së 10 për qind të mjeteve nga Trusti, Krasniqi ka thënë se fillimisht ishte shqyrtuar të rimbursoheshin ato, por është parë se krijon pabarazi më të madhe.
Discussion about this post