Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tashmë s’është duke i kursyer kritikat dhe akuzat ndaj partisë dhe bashkëpartiakëve të saj, njësoj siç nuk i kishte kursyer përqafimet kur ia kishin dhënë besimin që të kandidonte për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit.
Osmani, e cila është shkarkuar nga dy pozitat që mbante në LDK për shkak të afërsisë me Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë sot se partia që drejton Isa Mustafa ka përdhosur vullnetin e 6 tetorit, derisa për vete thotë se është në anën e qytetarëve.
Por, Isa Mustafa ka pasur një përgjigje për të.
“Nuk është përdhosur vullneti i qytetarëve i 6 tetorit të vitit të kaluar, por është përdhosur vullneti i atyre që kanë garuar dhe janë mbështetur nga LDK-ja, kurse kanë mbajtur dhe mbajnë anën e partive tjera, që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në dhe me frymën rugoviane por po dëshmohen se janë e kundërta e kësaj fryme”, ka thënë ai.
Ish-kryeministri ka thënë se Vjosa Osmani gjatë fushatës ka kopjuar Albin Kurtin dhe ia ka humbur LDK-së zgjedhjet, meqë në hyrje të fushatës zgjedhore, LDK-ja ka qenë 6 % para Lëvizjes Vetëvendosje.
Mustafa thotë se duke parë një gjë të tillë, qytetarët kishin vendosur të përkrahin origjinalin e një politike të tillë, Albin Kurtin, dhe jo Vjosa Osmanin si kopje.
“LDK-ja e ka kandiduar znj. Osmani për kryeministre në zgjedhjet e kaluara. Për kryeministre të LDK-së, jo të Vetëvendosjes, sepse VV-ja e ka pasur kandidatin e saj. Kur kemi hyrë në fushatë, LDK-ja, në bazë të matjeve të opinionit, ka qenë 6 për qind para VV-së. Kemi përfunduar pas VV-së, sepse fushata është zhvilluar duke e kopjuar VV-në. Qytetarët përkrahën origjinalin e kësaj politike, Albinin, jo kopjen, Vjosën. Qytetarët nuk votuan që LDK-ja të bëhet Vetëvendosje”, ka shtuar kryetari i LDK-së.
Ai ka pasur një përgjigje edhe sa i përket thirrjes së Osmanit se do t’i kthehet popullit dhe se qytetarët do të rikthehen fuqishëm për ta shkoqur shtetin nga strukturat që po e mbajnë të uzurpuar.
Sipas të parit të LDK-së, mentaliteti i revolucionit ishte bërë shkak për ndezjen e Shqipërisë gjatë ’90-ve dhe thotë se nuk duhet lejuar që të kallet Kosova nga revolucionarët e rinj që propagandojnë, nxitin përçarje e thirren në emër të popullit.
“Rugova ka kultivuar proceset demokratike. Jo revolucionet demokratike. Mentaliteti i revolucionit demokratik e kalli Shqipërinë në vitin 1997. Nuk duhet të lejojmë të kallet Kosova nga neorevolucionarët tanë të bashkuar. Këta, përveç propagandës dhe shkatërrimeve, përçarjes dhe thirrjes në popullin dhe për popullin, asgjë të mirë nuk i sollën këtij vendi deri më sot”, ka shtuar Mustafa.
Për kritikat ndaj qeverisë dhe konstatimeve se ekzekutivi u është kundërvënë qytetarëve, Mustafa i ka rikujtuar Osmanit se Hoti është duke ushtruar pozitën që i takon me Kushtetutë, derisa thotë se është vetë ish-nënkryetarja e LDK-së që po vazhdon ta mbajë një pozitë që me Kushtetutë i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
Ish-kreu i ekzekutivit thotë se kjo tregon se me kë është Vjosa Osmani dhe pse flet kundër LDK-së dhe kryeministrit Hoti.
Discussion about this post