Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, ka thënë se dialogu me Serbinë është proces që kërkon udhëheqës kompetentë e me legjitimitet të plotë dhe se sipas saj, Qeveria dhe kryeministri aktual nuk kanë legjitimet e as kompetencë profesionale të flasin në emër të Kosovës.
Ajo në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se dialogu nën udhëheqjen e kryeministrit Avdullah Hoti do t’i sjellë vendit shumë dëme e aspak dobi.
“Dialogu nga viti 2011-2017 ia ka sjellë vendit pak dobi e shumë dëme, dialogu që ka rifilluar ky kryeministër ilegal do t’i sjell vendit shumë dëme e aspak dobi. Është shumë më rëndësi t’ia përkujtojmë qytetarëve se kush dialogun për Kosovën, pra dialogun një person që nuk ka legjitimitet, por më e keqja dialogun një person i cili nuk di fare se çfarë është procesi i dialogut, këtë e ka pranuar vet. Thotë se nuk e njeh procesin e dialogut dhe nuk i di prapaskenat e tij, e çfarë mund të presim nga ky person përveç se mund të vijë në këtë Kuvend e të raportoj për kërkesat që ia plotësuar Serbisë. Kushtetuta e definon qartë se kryeministri dhe vetëm kryeministri ka kompetenca të udhëheqë me dialogun, por ky kryeministër përveç se nuk ka kapacitet profesional nuk ka as guxim. Prandaj, për t’u përballur me tema të ngjashme delegon kompetenca kushtetuese në mënyrë jo kushtetuese personit që nuk është votuar në këtë Kuvend”, tha ajo.
Deputetja Pacolli ka kritikuar kryeministrin Hoti se në bisedime me Serbinë po shkon pa një platformë dhe se në vend se të kushtëzojë dialogun me të pagjeturit, ai po i barazon ata me të zhvendosurit brenda vendit.
Discussion about this post