Dje u konfirmuan aktakuzat e Gjykatës Speciale ndaj Presidentit, Hashim Thaçi e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.Pas këtyre zhvillimeve Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkoi që dialogu me Serbinë të ndalet deri në një situatë të re.Analisti politik, Rasim Alija konsideron se LDK do e pranojë këtë kërkesë të partnerit të saj të koalicionit sepse nuk ka zgjidhje tjetër.
Nëse nuk pajtohet ai konsideron se LDK do ishte shkaktarja e shkarkimit të vetës, e kjo sipas Alijajt nuk i konvenon kësaj partie.Ai pret që në këtë kohë Qeveria të rritet me PDK-në, kjo sepse situata kërkon unitet dhe qeveri të gjerë.
“LDK do pranojë kërkesën e AAK-së sepse nuk ka zgjidhje tjetër pos pajtimit me këtë kërkesë, edhe LDK në këto rrethana do e ndryshojë qasjen sepse e ka partner AAK-në në koalicion dhe në këto rrethana do i binte që LDK do ishte shkaktarja kryesore e shkarkimit të vetes, jam i bindur se LDK-së nuk i konvenon shkuarja në zgjedhje, prandaj LDK nuk ka zgjidhje tjetër pos pajtimit me AAK-në, mund të shohim edhe një rritje të qeverisë me PDK-në sepse në një situatë të tillë nevojitet unitet dhe qeveri e gjerë me përfaqësim të gjithë qytetarëve“, deklaron Alija për Gazeta Blic.
Alija konsideron se dialogu me Serbinë duhet të pauzohet dhe me një bashkëpunim të pozitës e opozitës të vendoset një qasje e re ndaj dialogut.
“Qeveria e Kosovës dhe i gjithë spektri politik ish deshtë me e pauzu dialogun me Serbinë në këtë kohë të aktakuzave ku është tronditë edhe e gjithë lufta e UÇK-së, ku krerët e Ushtrisë tashmë po shkojnë në Hagë e kjo i ka pasojat e veta për luftën për liri. në rrethanat e reja ka nevojë për bashkëpunim të spektrit politik pa kalkulime elektorale, e pastaj të vendoset bashkarisht duke i përfshirë edhe partitë opozitare për një qasje ndaj dialogut“, shton Alija për Gazeta Blic.Zgjedhjet e reja nuk i përshtaten askujt përveç Vetëvendosjes, thotë Alija.Prandaj ai nuk pret zgjedhje të reja tani, por ai konstaton se vendi mund të shkojë në zgjedhje në vitin tjetër, kjo pasi tani ushtrues detyre i presidentit është Vjosa Osmani.E Osmani nuk mund ta mbajë këtë pozitë më shumë se 6 muaj, e nëse në muajin shkurt ose mars nuk mund të zgjedhet presidenti, Alija sheh zgjedhje të reja në vend.
“Asnjë subjekti nuk i përshtaten zgjedhjet përveç Vetëvendosjes, por kjo nuk do duhej të ishte motivi i tanishëm i forave politike, zgjedhjet bëhen më të komplikuara kur tash ushtruese e detyrës së presidentes është Vjosa Osmani që i bie që për më së shumti për 6 muaj e mbanë këtë pozitë, deri sa të zgjedhet një president i ri. Nëse dështon pastaj zgjedhja e presidentit vendi do shkoj në zgjedhje. Në muajin shkurt ose mars nëse ka konsensus politik do zgjedhet presidenti e do shmangen zgjedhjet“, thotë Alija për Gazeta Blic.
Discussion about this post