Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri ka deklaruar se zgjedhjet në kohë pandemie nuk janë zgjidhje.
Ajo ka kërkuar nga subjektet politike përgjegjësi që temat e tilla nacionale të ulën dhe t’i diskutojnë së bashku.
“Gjithmonë duhet të jetë, çdo subjekt politik i gatshëm për zgjedhje edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, por po e ritheksojë se duke e pasur parasysh situatën në të cilën jemi si Republikë e Kosovës, me temat me të cilat ballafaqohemi, që kushdo qoftë në cilin do subjekt politik që e merr përgjegjësinë për ta udhëhequr vendin ka nevojë për të gjitha subjektet politike sepse janë tema nacionale”.
“Unë mendoj se kësaj radhe ishte dashur të ketë pak më shumë përgjegjësi secili lider i partive politike që vërtetë të takohen dhe të diskutojnë sidomos temat nacionale e pastaj të vendosin të shkojnë deri në fund mandati në zgjedhje, por unë kam frikën se nëse pretendojmë të bëjmë zgjidhje të problemeve me zgjedhje ne vetëm do të riciklojmë problemin”.
Për Gaxherin më e arsyeshme në këtë periudhë është gjetja e një personaliteti për president, të pranueshëm nga të gjitha paritë politike.
“Është koha që me tregu përgjegjësi liderët, me u ulë e me u marr vesh për një personalitet i cili është i pranueshëm për të gjitha partitë politike në Kosovë dhe me ecë tutje. Sepse kemi probleme të shumta tashmë me pandeminë në radhë të parë e cila shkakton përveç pasojave shëndetësore dhe vdekjeve fatkeqësisht kemi edhe pasoja të mëdha ekonomike dhe jo vetëm kjo kemi problem të madh edhe me Serbinë me dialogun dhe pastaj e kemi Gjykatën Speciale. Këto janë tema të cilat asnjë subjekt politik vetëm nuk mundet me i zgjedh dhe unë s’po e shoh fare të arsyeshme këto kalkulimet ose ikjet nga përgjegjësia të asnjë subjekti e lideri politik”.
Kurse ajo ka mohuar të jetë diskutuar brenda kësaj partie për mundësinë e bashkëqeverisjes me PDK-në.
“Nuk është që e kemi diskutuar me organet e partisë këtë gjë për arsye se ne e dimë në çfarë situate gjendet Kosova, me çfarë temash po ballafaqohet dhe natyrisht se për një çështje të tillë duhet me u mbledhë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së”.
Ajo ka shfaqur edhe shqetësimin për arrestimet e fundit nga Gjykata Speciale duke i quajtur si momente të pakëndshme.
“Është një proces i cili është prit, është nisur e votuar nga vetë institucionet e këtij vendi para 5 vitesh e më shumë. E dimë historikun e këtij procesi pra nuk është që duhet të shihen gjërat bardhë e zi, por prapë se prapë duhet ta them mendimin tim. Në momentin kur filluan të burgosen ose të arrestohen këto personalitet në raport me Serbinë po ju them sinqerisht nuk është një moment i këndshëm ose i pranueshëm”.
Deputetja Gaxheri ka qenë kritike për Gjykatën Speciale duke konsideruar se sinjalet e saj janë të njëjta si ato të UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe se nuk pret rezultatet konkrete.
“Megjithatë ne është dashur që t’i kemi gjykatat tona për të gjykuar krimet të cilat kanë ndodhur në Republikën e Kosovës. Ato duhet të zbardhen. Uroj shumë që kjo gjykatë të jetë kredibile, ta kryej punën e vet dhe të ndaj drejtësi. Në fillimet e saj nuk na ka dhënë sinjale çfarë i kemi prit, sepse ne po presim gjykatë shembull me pas edhe pse nuk e patëm as kohën e UNMIK-ut që ishin të huajat, as në kohën e EULEX-it”.
“Ne pritem që vërtetë ato përveç që të na trajnojnë, ndihmojnë e monitorojnë, nuk e kanë bërë fatkeqësisht. Edhe sot atje ku ne me ligjet tona, me Kushtetutën tonë e kemi dërguar gjykatën që të jetë më e pavarur politikisht e në çdo aspekt, ka sinjale që nuk është për të kënaqur megjithatë ne duhet që të kemi kujdes dhe ta kemi parasysh se gjykata duhet të kryej punën e vet, politika të vetën. Të urojmë e të shpresojmë që çdo i pafajshëm duhet të jetë i pafajshëm dhe çdo ai që vërtetë ka bërë çfarëdo krimi duhet të dënohet”, ka përfunduar Gaxheri për EO.
Discussion about this post