Komisioni i Venecias
Verdikti i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që i jep të drejtë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në vendimin e dekretimit të Avdullah Hotit të LDK-së si mandatar për formimin e qeverisë së re, pas shkarkimit të qeverisë Kurti dhe mos-përgjigjes së Vetëvendosjes për të dërguar emër të ri, ka ngjallur reagime të ashpra tek këta të fundit.
Lëvizja Vetëvendosje përveç paralajmërimeve për protesta të cilat kanë marrë edhe formën e “provës për protestë”, për dy herë me radhë, është edhe kërkesa në Komisionin e Venecias për interpretim të verdiktit të Kushtetueses.
Sipas kësaj, VV siç po shihet do t’i shkojë deri në fund rrugëve ligjore që të parandalojë krijimin e qeverisë së re – për legalitetin dhe legjitimitetin e së cilës nuk i ka bindur Gjykata Kushtetuese me verdiktin e dhënë.
E subjekti i kryeministrit aktual në detyrë, Albin Kurti pritet t’i drejtohet Komisionit të Venecias lidhur me dekretin e shpallur nga Gjykata Kushtetuese dje – i argumentuar si në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Një veprim të tillë e paralajmëroi dje edhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca në një debat televiziv, menjëherë pas vendimit të Kushtetueses.
Media është interesuar në lidhje me qëndrimin e Komisionit të Venecias sa i përket një kërkese të tillë të dytë.
Komisioni i Venecias është pyetur nëse ka ende ndonjë mundësi të mbetur që ky dekret të kthehet për interpretim në Komisionin e Venecias.
Zyra për media e këtij Komisioni, kanë lënë të kuptohet se janë të gatshëm, dhe se në momentin që një kërkesë e tillë vije, ata do të japin përgjigjen e tyre, mirëpo pa specifikuar nëse do ta marrin nën shqyrtim.
“Komisioni i Venecias do të merr vendim kur dhe nëse një kërkesë e tillë na vjen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit të Venecias.
Discussion about this post