Dje në kuvendin e Kosovës, deputetët kanë votuar për krijimin e qeverisë Hoti, nga koalicioni LDK-AAK-Nisma socialdemokrate dhe Lista Serbe.
Qeverinë e re e kanë votuar 61 deputetë, 24 ishin kundër dhe 1 abstenoi. Në votim morën pjesë 86 deputetë.Qeveria Hoti përbëhet nga 4 zëvendëskryeministra dhe 16 ministra. Një nga 3 ministret gra të qeverisë Hoti është Meliza Haradinaj- Stublla nga AAK, e cila është e dënuar nga Gjykata e Prishtinës për raportim të rremë të pasurisë.Meliza Haradinaj – Stublla është emëruar ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Pas hulumtimit të KALLXO.com të muajit dhjetor të vitit 2018, në tetor të vitit 2019, Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtore Meliza Haradinaj – Stubllën për raportim të rremë të pasurisë. Në Qeverinë Haradinaj, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë këshilltare politike e Ramush Haradinajt.
Gjykata e ka dënuar Haradinaj – Stubllën me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej 1 viti, nuk kryen vepër tjetër penale, si dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro, të cilin do ta paguajë brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.Pas rënies së Qeverisë Kurti, LDK kishte arritur marrëveshje me 14 pika për koalicion me AAK-në.LDK dhe AAK ishin pajtuar që në kabinetin qeveritar të caktojnë persona me kompetencë të lartë profesionale, pastërti të figurës, të mos kenë pasur dhe të mos kenë problem me ligjin.
“Në rast se ndonjëri nga anëtarët e kabinetit qeveritar dhe të të emëruarve tjerë politik gjatë mandatit sfidohet me proces të drejtësisë (i ngritet aktakuzë apo ftohet në proces gjyqësor), palët pajtohen që kryeministri ka të drejtë ta shkarkojë automatikisht, derisa të përfundojë procesi i drejtësisë”, thuhet në marrëveshjen për koalicion mes LDK-së dhe AAK-së.Sipas Prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj – Stublla kishte vepruar në kundërshtim me nenin 5 dhe nenin 6 të Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar ku ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Në fund të vitit 2018, KALLXO.com kishte gjetur se Meliza Haradinaj – Stublla, këshilltarja politike e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion biznesin që e kishte regjistruar në Londër. Ajo nuk kishte deklaruar të ardhura si pronare e kompanisë “IN MIDDLE LTD”, me zyre në “108 Woolmead Avenue” në Londër.“IN MIDDLE LTD” ishte themeluar në vitin 2015, dhe deri pak ditë para publikimit të hulumtimit kishte vazhduar të figurojë si biznes aktiv në “Companies House” në Britani të Madhe. Companies House ka kompetenca të njëjta me Agjencinë e Regjistrimit.Si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka ardhur në pushtet në muajin shtator të vitit 2017, Meliza Haradinaj – Stublla ka qenë e obliguar të deklaroj pasurinë si zyrtare e lartë, edhe në vitin 2017 edhe në vitin 2018.
Por në formularin e deklarimit të pasurisë në vitin 2017, Meliza Haradinaj – Stublla, nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.Në Agjencinë Kundër Korrupsion, Haradinaj – Stublla ka deklaruar se merr 577 euro si pagë mujore nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj ka një fitim prej 8500 euro nga biznesi që e ka në Prishtinë.Por Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se posedon aksione në shoqëri komerciale apo letra me vlerë.Edhe në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2018, Haradinaj – Stublla nuk ka deklaruar se është pronare apo person i autorizuar në ndonjë biznes.Në maj të vitit 2019, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj këshilltares së kryeministrit të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.Këshilltarja e kryeministrit në largim Ramush Haradinaj ballafaqua në Gjykatë për akuzën e mosdeklarimit të pasurisë.Pas vendimit të Gjykatës së Prishtinës, Haradinaj-Stublla ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Discussion about this post