Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, pas takimit me kryesinë qendrore të partisë të mbajtur në Prizren ka deklaruar se angazhimi i partisë së tij do të jetë mposhtja e së keqes dhe se do të ndalë korrupsionin, abuzimin, mashtrimin.
Veseli thotë se ka filluar nga brenda ta çrrënjos korrupsionin dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë në tërë Kosovën, shkruan Reporteri.net.
Postimi i Veselit në Facebook:
Sot, nga Prizreni, pas takimit me kryesinë qëndrore të partisë, para qytetarëve të Kosovës, prezantova platformën tonë të rimëkëmbjes kombëtare. Misioni që fillon për ti larguar qeveritë e mashtrimit e status-quos dhe e kthen PDK-në në krye të shtetit.
Kjo është platforma e ideologjisë djathtiste, që mbron vlerat tradicionale, ruan miqësitë dhe zhvillon lirinë.
Angazhimi ynë është për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve kudo, mos-cenimin e kufijve të Kosovës, ruajtjen e lirisë dhe mbrojtjen e vlerave çlirimtare të popullit tonë.
Më pak fuqi Qeverisë dhe politikanëve, e më shumë fuqi ndërmarrëseve. Më pak burokraci në vendimmarrje, më pak procedura dhe më pak tatime. Më shumë përkrahje prodhimit, eksportit dhe punësimit.
Ky do të jetë angazhimi im dhe i PDK-së. Mposhtja e së keqes është domosdoshmëri. Korrupsioni, abuzimi, mashtrimi duhet të ndalen dhe do t’i ndalim.
E kam filluar nga brenda dhe do ta çrrënjos deri në fund në tërë Kosovën. Procesi i Vettingut për të ndjekur e dënuar çdo të korruptuar dhe uzurpator të pronave publike, nuk është akt deklarativ, siç ka menduar qeverisja e mashtrimit.
Nga Prizreni kanë nisur çdo herë fitoret e Partisë Demokratike të Kosovës.
Discussion about this post