Hezitimi i qytetarëve për të marrë vaksinën anti-COVID ka qenë një nga temat që është diskutuar në Komisionin për Shëndetësi.
Anëtari i Komisionit, Shemsedin Dreshaj e ka ngritur këtë shqetësim, me ç’rast e ka pyetur ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, se cila është strategjia për personat që nuk duan të marrin vaksinën anti-COVID.
“Vendet e rajonit po organizojnë vikend vaksinim, disa të tjera po i stimulojnë materialisht, ndërsa Franca penalizon ata që refuzojnë vaksinën, i ndëshkon, cila është strategjia juaj për ata që nuk duan ta marrin vaksinën”, pyeti Dreshaj, ministrin Vitia.
Ministri Vitia ka thënë se ka pasur një hezitim jo vetëm të qytetarëve, por edhe të personelit shëndetësor për t’u vaksinuar.
Por Vitia ka pohuar se kjo është duke u shuar dhe tha se 7-8 ditë para fillimit të vaksinimit në masë do të fillojë një fushatë për vaksinim.
“Shfrytëzoj rastin që para Komisionit t’iu bëjë ftesë qytetarëve se vaksina nuk ka pasur efekt anësor shqetësues tek qytetarët që kanë marrë vaksinën”, tha ai.
Vitia shtoi se vetëm vaksina mund të parandalojë në parandalimin e përhapjes së virusit, por duke mos harruar edhe masat tjera.
Discussion about this post