Përfaqësuesi i diplomacisë amerikane në Prishtinë, Philip Kosnett, takimin në Ëashington e cilëson si shumë domethënës për rrugën e dialogut. Ambasadori amerikan parashikon se fundi i procesit të bisedimeve do të jetë me njohje reciproke.
Është i bindur se takimi i së shtunës në Shtëpinë e Bardhë do t’i hapë shumë rrugë marrëveshjes finale në mes të Kosovës dhe Serbisë. Madje përfaqësuesi i diplomacisë amerikane në Prishtinë, Philip Kosnett, thotë se të mirat ekonomike që mund të burojnë nga Uashingtoni do të jenë në favor të qytetarëve të të dyja vendeve. Ndërsa parashikon se fundi i procesit do të jetë me njohje reciproke.
Ambasadori amerikan ka hedhur poshtë të gjitha dilemat e ngritura për shkëmbim territoresh duke potencuar se kjo temë as që është diskutuar.
‘Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë duke ndjekur idenë e shkëmbimit të territoreve dhe nuk jemi as të sigurt se nga ka ardhur kjo ide. Unë mund të ju them se askush nuk ka folur për këtë temë, por mund të ju them juve ashtu siç ju kam thënë edhe më herët dhe siç edhe ambasadori Grenell ju ka thënë, se nuk është politikë e SHBA’së, nuk është diçka që administrata Trump e ka mbështetur ndonjëherë dhe këtë e kemi thënë shumë herë”, tha Kosnett për Klan Kosovën.
Kosnett thotë se nuk di detaje për kompromisin final teksa mohon se ekziston një marrëveshje e gatshme për të cilën pretendon ish-kryeministri Albin Kurti.
“Mendoj se për këtë duhet të pyesni ish-kryeministrin përse besonte kështu. Ky nuk ka qenë kurrë qëndrimi ynë’, tha ai.
Kosnett u pajtua se nuk ka qenë i kënaqur me qasjen e dy qeverive paraprake në diplomaci.
“Koalicioni në mes të VV’së dhe LDK’së ishte koalicion fragjil, njerëzit në LDK i kanë bërë vendimet e tyre se si duan që të shkojnë përpara. Nuk e kemi fshehur faktin se ishim të pakënaqur me elementet e politikave të jashtme të Kurtit ashtu siç nuk kemi fsheh faktin se ishim të pakënaqur me elementet e politikave të jashtme të qeverisë Haradinaj”, theksoi ai.
Megjithatë nuk është kundër protestave e tubimeve politike si ato të Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë se këto janë pjesë e demokracisë veçse sipas tij duhet pasur kujdes pasi duhet pasur kujdes të shtuar në kohën e pandemisë.
Discussion about this post