Agjencia e Statistikave të Kosovës për 7 vjet me radhë, 2012-2019, ka llogaritur gabimisht pagën mesatare në vend. Këtë e dëshmon edhe raporti i fundit i këtij institucioni: “Niveli i pagave në Kosovë 2012-2019”, i publikuar këtë muaj.
Në këtë raport thuhet se paga mesatare në Kosovë për vitin 2019 ishte 602 euro.
ASK-ja, për të arritur deri te kjo shifër, ka llogaritur pagat e 363 mijë punëtorëve në vend, por metodologjia e përdorur nga ASK-ja në përllogaritjen e pagës mesatare në Kosovë, sipas ekspertëve ekonomikë, po del të jetë e gabuar,
pasi paga prej 602 eurove është llogaritur si mesatare aritmetike (e thjeshtë) e pagës mesatare në sektorin privat, në atë publik, si dhe në ndërmarrjet publike. Pra, pagat mesatare të këtyre tri kategorive janë pjesëtuar me 3 dhe kësisoj është arritur vlera prej 602 eurove (bruto).
Kjo i bie që në këtë përllogaritje është supozuar që përafërsisht 121 mijë punëtorë punojnë në sektorin privat, 121 mijë në sektorin publik dhe 121 mijë në ndërmarrjet publike. Mirëpo, kjo nuk pasqyron realitetin në tregun e punës në Kosovë, pasi, sipas të dhënave jozyrtare, rreth 72% e të punësuarve në Kosovë punojnë në sektorin privat.
Në një postim në faqen e tij në “Facebook” në fillim të këtij muaji Visar Vokrri, ekspert i ekonomisë, nga instituti “Riinvest”, thotë se sipas kalkulimeve të tij të bazuara në të dhënat e publikuara, paga mesatare bruto në vitin 2019 në Kosovë do të duhej të ishte rreth 470 euro, pra 132 euro më pak se ajo e raportuar nga institucioni kompetent për këto të dhëna, ASK-ja.
Vokrri, ndërkaq, për “Zërin” ka deklaruar se në vend të mesatares së ponderuar, ku do të reflektohej pesha relative e secilit nga këta sektorë, ASK-ja ka përdorur mesataren aritmetike, e cila në rastin konkret supozon që numri i të punësuarve në këta tre sektorë është i njëjtë.
“Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga po ky institucion, numri i të punësuarve në vitin 2019 ishte 363 mijë, ku rreth 72% prej tyre ishin të punësuar në sektorin privat. Sipas një kalkulimi të thjeshtë, duke u bazuar në këto të dhëna, paga mesatare bruto në vitin 2019 në Kosovë i bie të ishte rreth 470 euro, pra 132 euro më pak se ajo e raportuar”, deklaron Vokrri për “Zërin”.
E kontaktuar nga “Zëri”, Agjencia e Statistikave të Kosovës e ka pranuar se përllogaritja është bërë gabim, për çka kanë thënë se janë duke e rishikuar publikimin.
Në sqarimin e dërguar “Zërit” ASK-ja e pranon se nga paga mesatare e tre sektorëve, ku përfshihen 363 mijë punëtorë, është nxjerrë treguesi i derivuar (paga mesatare), që nuk praktikohet në këto raste.
“Të dhënat e marra nga institucionet përgjegjëse, të paraqitura në këtë raport, janë analizuar, llogaritur dhe shpërndarë përmes raportit, i cili është bërë publik. Të dhënat e paraqitura dhe të publikuara sipas sektorëve janë rishikuar dhe janë reprezentative, derisa te tabela 1.1, te kolona ‘Paga mesatare’, është bërë një gabim-lëshim, ku nga treguesit primarë (sektorëve) është nxjerrë treguesi i derivuar (paga mesatare), që nuk praktikohet në këto raste”, thuhet në sqarimin e ASK-së.
Agjencia e Statistikave të Kosovës deklaron po ashtu se, pas interesimit të “Zërit” për këtë çështje, janë në proces të rishikimit dhe se do të përmirësohet gabimi.
“Prandaj, si përfundim, ASK-ja i njofton të gjithë përdoruesit e statistikave zyrtare se është duke analizuar dhe rishikuar raportin në fjalë dhe në momentin e finalizimit do ta publikojë raportin e rishikuar”, thuhet në deklarimin e ASK-së për “Zërin”.
Ky institucion deklaron po ashtu se në raport nuk janë të përfshira të dhënat nga ekonomia e pavrojtuar (informaliteti).
“Vlen të theksohet se përfshirja e të dhënave nga ekonomia e pavrojtuar (informaliteti) në të dhënat e paraqitura do të nivelizonte të njëjtën pagë mesatare, të paraqitur në raport, por kjo çështje i përket procesit të rishikimit për një periudhë më afatgjatë”, theksohet në përgjigjen e ASK-së për “Zërin”.
Në bazë të të dhënave që ASK-ja i ka publikuar deri më tani për pagën mesatare në vend del se vendi ynë ka pagën mesatare ndër më të lartën në rajon. /Zëri/
Discussion about this post