Pas ngritjes së aktakuzës nga ana e Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ka ardhur një reagim edhe nga kabineti i presidentit.
Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Adil Behramaj, ka thënë se akuza e ngritur ndaj presidentit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale, ka penguar presidentin në “përmbylljen e një kapitulli lufte”.Thaçi ishte nisur drejt Washingtonit për takimin e 27 qershorit me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë, por pas lajmit për këtë akuzë ai ka vendosur të anulojë pjesëmarrjen dhe të kthehet në Kosovë.
Në një reagim për këtë rast, në Facebook, Brahimaj ka thënë se Thaçi “sot ishte nisur për ta mbyllur një kapitull lufte, por padrejtësisht u pengua nga ata që janë të thirrur të vendosin drejtësi”.“Historia e Kosovës është direkt e lidhur me emrin e Hashim Thaçit. Lider politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lider që shpalli Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Kryeministri më i suksesshëm i shtetit tonë të ri. Organizimeve për rezistencë paqësore i ishte bashkuar sapo kishte arritur moshën madhore dhe shumë pak vite më pas u kishte prirë edhe organizimeve për rezistencë të armatosur. Në luftë dhe paqe asnjëherë nuk reshti së luftuari. Edhe sot ishte nisur për ta mbyllur një kapitull lufte, por padrejtësisht u pengua nga ata që janë të thirrur të vendosin drejtësi.
Është sulmuar politikisht me dekada. Shpeshherë edhe nga ata që as moshë nuk kanë sa ai ka kontribut kombëtar. Por, asnjëherë nuk e njohu humbjen. As sot nuk ka humbur. Kjo është vetëm një pengesë e qëllimshme për t’ia penguar drejtimin, por gjithsesi vetëm përkohësisht!”, ka shkruar ai.Për takimin e Washingtonit, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kishte shprehur synimet për krijimin e një zone ekonomike mes dy vendeve, si të tipit të Shenzhenit.
Discussion about this post