Jetesa e qytetarëve ka nisur të vështirësohet shkaku i ngritjes së vazhdueshme të çmimeve.
Shtrenjtimi është vërejtur te vajrat, buka, qumështi, djathërat, mishi, sheqeri e produkte të tjera.
Nga matjet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në shtator të këtij viti krahasuar me atë të vitit të kaluar, çmimet janë rritur për 4.9 për qind.
“Nuk është normale, krejt çmimet i kanë rritë të produkteve krejt. Krejt, krejt, prej buke e krejt fije-fije”, tha qytetari Qerim Demaku.
Qytetarët thonë se kjo është e papranueshme, meqë nuk ka kurrfarë ndryshimi edhe në paga. Ata e fajësojnë Qeverinë për shtrenjtimin.
“As pagat nuk na i rrisin as kurrgjë hiq çmimet janë shumë të mëdha”, tha qytetari tjetër Avdi Sejdiu.
“Tona valla ushqimore janë rritë. Krejt këtu fajet e Qeverisë edhe këtu nuk ka kontroll, qysh po donë po bojnë”, tha qytetari Rizah Krasniqi.
Por, nuk janë vetëm produktet e konsumit ushqimor të cilave u janë shtrenjtuar çmimet. Ngritje vërehet edhe te nafta, biletat e autobusit e shërbime të tjera, derisa është paralajmëruar edhe ngritja e çmimit të energjisë elektrike.
Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka paralajmëruar që prodhuesit vendorë do të vazhdojnë ngritjen e çmimeve, meqë globalisht të gjithë faktorët e prodhimit janë duke shënuar ngritje.
“Nuk do të ketë vetëm ngritje të çmimeve të produkteve të prodhuara në Kosovë por do të ketë ngritje të çmimeve edhe tek prodhimet e importuara. Ky cikël i ngritjeve vetëm ka filluar, inflacioni është 3.6 për qind që është më i larti deri më tash”, tha Panxha.
Ndonëse ngritja e çmimeve ka nisur që nga qershori, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk ka bërë kurrfarë analize se pse e si ka ardhur deri te shtrenjtimi dhe as nuk ka intervenuar në këtë proces.
E vetmja analizë që kanë bërë është për shtrenjtimin e çmimit të naftës, gjë për të cilën KOHËS ia kanë përcjellë një përgjigje me shkrim.
“Tregu për naftën në vendin tonë është i liberalizuar dhe se ndërmarrjet që operojnë në tregun relevant janë plotësisht të lira të vendosin çmimet e tyre sipas politikës së tyre të biznesit. Por, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, AKK mund të reagojë në rastet kur bëhet fjalë për çmime të tepërta (grabitqare), dhe atë vetëm kur ndërmarrja apo ndërmarrjet kanë një pozitë dominuese ose pozite dominuese kolektive në tregun përkatës”, thuhet nga AKK-ja.
Pavarësisht se Kosova ka treg të lirë, KOHA i ka kërkuar përgjigje Qeverisë nëse do të ndërhyjë me politikat e saj në kontrollimin e këtyre çmimeve, por askush nuk ka kthyer përgjigje.
Discussion about this post