Shpejtim Bulliqi, i cili udhëheq me Komunën e Podujevës pasi u kandidua për kryetar të saj nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kritikuar veprimin e deputetes Doarsa Kica Xhelili, e cila iu bashkangjit Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ani pse vetë Bulliqi ka lëvizur nga një parti në tjetrën, kalimin e Kica Xhelili në LDK e quan tradhti.
“Besoj që s’ka me qenë edhe e fundit. Por do të ishte mirë që me mujt me pas mundësi me prit që atë vullnet qytetar që e merr prej një subjekti politik, me e përmbyll si proces…por jo me shku vullnetin qytetar të një subjekti politik me bart te subjekti tjetër politik, sepse pak a shumë në syrin tonë paraqitet si tradhti”, tha ai në në Tëvë 1.
Bulliqi tash është kryetar i Podujevës dhe mandatin e ka fituar pas kalimit të tij në Lëvizjen Vetëvendosje. Më parë, në këtë komunë ka qenë drejtor, derisa atë e udhëhiqte dikur bashkëpartiaku i tij, Agim Veliu i LDK-së.
Gjatë viteve 2014-2017, ai ka qenë deputet i LDK-së, por kah fundi i mandatit kishte mosmarrëveshje me qëndrimin e partisë lidhur me demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Ai po ia bënte opozitën partisë së tij që atë kohë po qeveriste.
Me ardhjen e Ramush Haradinajt si kryeministër, Bulliqi u bë kryetar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
Në vitin 2019, ai u largua nga LDK-ja, për të kaluar në Lëvizjën Vetëvendosje. Bulliqin, lideri i LV-së, Albin Kurti, e prezantonte si gardian kufijsh. Në praktikë, kryetarit të Podujevës nuk i ra të ruaj ndonjë kufi.
“Me Prof. Bulliqin në Vetëvendosje dhe me Lëvizjen në qeverisjen e ardhshme, kufijtë e shtetit tonë do të jenë të paprekshëm”, kishte shkruar ndër të tjera Kurti në aderimin e Bulliqit.
Discussion about this post