Subjektet politike opozitare kanë intensifikuar aktivitetet e tyre me elektoratin.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po tentojnë ta ndryshojnë mënyrën e komunikimit me qytetarët.
Këto parti gjatë muajit shtator kanë filluar takimet e drejtpërdrejta me qytetarët nëpër komunat e Kosovës.
Përmes tubimeve të ndryshme tri partitë opozitare synojnë ta prezantojnë vizionin e tyre për vendin.
Këtë seri të takimeve LDK-ja e ka filluar të enjten në Podujevë. Pas këtij takimi, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se përgjatë javëve e muajve në vijim do të jetë në çdo qytet të Kosovës për të bashkëbiseduar hapur me qytetarët.
“Në Podujevë, mes qytetarëve e veprimtarëve tanë, në ciklin e ri debatues e diskutues “LDK ju dëgjon”. Nga sot, përgjatë javëve e muajve në vijim, ne do të jemi në çdo qytet të Kosovës për të bashkëbiseduar hapur dhe drejtë me qytetarët tanë. LDK po fillon një qasje të re komunikimi. Ne duam t’i kuptojmë brengat e njerëzve tanë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka vlerësuar se partia e tij është e popullit dhe i takon popullit të Kosovës.
“Duam të flasim me ta për papërballueshmërinë ekonomike; duam të flasim për krizat energjetike, arsimore e shëndetësore që parreshtur po godasin vendin tonë; duam të flasim për ikjet e punëtorëve dhe për mungesën e projekteve madhore për vendin. LDK është e popullit; ajo e ka vendin tek populli. Ju faleminderit të gjithë llapjanëve për pritjen e ngrohtë e diskutimin e hapur që zhvilluam sot”, ka vlerësuar ai.
Nga java e ardhshme takime të tilla ka paralajmëruar edhe PDK-ja, e cila udhëhiqet nga Memli Krasniqi.
Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, ka thënë se përmes një fushate intenzive kjo parti do ta prezantojë vizionin e saj për Kosovën.
“Ne as nuk jemi të vetëmjaftueshëm e as nuk jemi të gjithëdijshëm. Unë nuk i di të gjitha. Mënyra se si e shoh Kosovën, si e shoh të ardhmen, jo domosdoshëmrishtë është mënyra se si PDK-ja do të duhej ta shihte. Prandaj, ne që nga java e ardhshme do të jemi në një fushatë intenzive në terren dhe këtë vizionin e ri për Kosovën, për të ardhmen, për të rritur shprehësen, për të ndërtuar një rrëfim më pozitiv për Kosovën, do ta ndërtojmë bashkë me qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Çitaku, gjatë një interviste për emisionin “Rubikon”.
Ndërsa, një komunikim të tillë me qytetarët AAK-ja e ka filluar ditë më parë.
Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se përmes këtyre takimeve do t`i kuptojë drejtpërdrejt hallet dhe problemet e qytetarëve të Kosovës.
“Kohërat e ndjeshme për Kosovën dhe qytetarët e saj, kërkojnë sinqeritet e bashkëbisedim mes nesh. Krijimi i hendekut të madh qeveri-qytetar, krizat në çdo pore të shoqërisë, kanë sjell qytetarin e Kosovës në ditë jo të mira për të dhe institucionet e Kosovës në prag të kollapsit. Do fillojmë sot me një cikël bisedimesh me qytetarët tanë. Nisim në Prizren, për të vazhduar ditëve tjera në qendra të tjera. Jeni të mirëseardhur të flasim hapur, të ndajmë brengat tona, të kërkojmë dhe të gjejmë zgjidhje”, ka shkruar Haradinaj.
Ndikimi i sondazheve të fundit
Subjektet politike opozitare janë vu në lëvizje pas publikimit të sondazheve të UBO-s për këtë muaj, i cili tregon se ka ndryshuar dukshëm përkrahja e qytetarëve për partitë kryesore në vend.
Sondazhi i UBO-s për muajin shtator, i cili është publikuar në gazetën Nacionale, tregon se Lëvizja Vetëvendosje ka rënie të ndejshme krahasuar me zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.
Nga 50 për qind sa i kishte pasur në shkurtin e 2021-s, Vetëvendosje gradualisht ka humbur mbështetje për çdo muaj. Në prillin e vitit 2022, ata do të kishin 41,9 për qind të mbështetjes qytetare, sipas UBO Consulting.
Kjo mbështetje do të binte për dy muaj, deri në qershor, në 39,6 për qind. Por, edhe më shqetësues për këtë parti është muaji shtator, në të cilin kanë humbur edhe 2,3 për qind tjera, duke bërë që subjekt me vetëm 37,3 për qind të votave.
Sondazhi tregon se LDK-ja ka arritur të rikuperojë përgjatë kohës sa Lumir Abdixhiku është në krye të partisë. Kjo parti politike në muajin i kishte 19,4 për qind, për të shkruar në 20,3 në qershor dhe më pas 22,3 në muajin shtator.
Në anën tjetër, PDK-ja ka pasur po ashtu një rënie dhe një ngritje të çuditshme. Në vetëm dy muaj, kjo parti është rritur për 0,3 për qind (nga prilli në qershor) për të rënë sërish për 0,2 për qind (nga qershori në shtator).
Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shënuar rritje në shtator, por partia e Ramush Haradinajt kishte pasur rënie nga prilli në qershor.
Discussion about this post