Deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja ka kundërshtuar argumentin e opozitës se në Kosovë nuk ka njerëz që paguhen nën 264 euro, aq sa parashihet të jetë paga minimale.
Muja ka thënë se sipas regjistrit të tij janë 104 mijë qytetarë që kanë pagë mujore nën këtë shumë.
“Paga minimale e fundit është miratuar në vitin 2011, deri në 35 vjet është 130, mbi 35 vjet është 170. Ne e kemi propozuar rritjen e pagës minimale dhe reagimi i parë ka qenë fillimisht kundërshtimi nga opozita dhe fillimisht ishin dy argument: Argument i parë ka qenë që nuk ka në Kosovë njerëz që paguhen nën pagën minimale, 264 euro, e që është e pavërtetë. Ne na u tha që është demode sepse s’ka qytetarë që paguhen. Në regjistrat e mi që i kam nga ATK-ja, janë 104 mijë qytetarë të Kosovës që në paga mujore paguhen nën 264. Dhe unë duhet me mendu për këtë shtresë që ajo me e arrit standardin jetësor”, theksoi Muja në Këndin e Debatit në Tëvë 1.
Ai shtoi se veteranët ishin larguar nga paga minimale në dhjetor të 2016, kurse kjo kishte ikur pa debat.
“E dyta, veteranët janë hjek nga paga minimale më 28 dhjetor 2016 me propozimin e LDK-së dhe PDK-së. Shoqërisë i ka ik ky debat se është bë shpejt shpejt para vitit të ri, në një natë dhjetori”, tha ai.
Duhet ritheksuar se Muja, në deklarimin e tij të pasurisë kishte bërë të ditur që merr mbi 4 mijë euro në muaj.