Rasti i Astrit Deharit u rikthye në vëmendje pas deklaratës së deputetit të Vetëvendosjes, Haki Abazi, i cili javën e kaluar tha se provat për vrasjen e tij ishin zhdukur, duke hedhur fajin kështu te subjekti të cilit i takon. E për këtë temë foli sonte në Rubikon edhe analisti politik Vehbi Kajtazi, i cili vuri në pikëpyetje atë se si kishte mundësi kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti, që disa orë pas vdekjes së Deharit, të deklaronte se ai ishte vrarë.
“Ka një hetim dhe për atë hetim duhet pritur një rezultat. Dhe fakti që për sa vjet ndërtohen narracione të një shteti të kapur që nuk i besohet askujt, atëherë domosdoshmërisht një pushtet me prirje autokratike ndërton narracione të tilla duke ndërtuar vetëm të vërtetën e vet dhe të vërtetën e vet e ka ndërtuar tashmë e gjithë Vetëvendosja ditën kur ka vdekur zotëri Dehari dhe natën kur zotëri Kurti ka dalë në televizion dhe ka thënë: “Është vrarë”. Pra disa orë pas asaj. Dhe ky narracion nuk ndalon asnjëherë sepse kështu e do pushteti, nuk do të vërtetë tjetër. Le të më thotë dikush që si e zbulove disa orë pasi ndodhi një vdekje tragjike të dalësh me një deklaratë të tillë, ku u bazove me këtë deklaratë”, është shprehur Kajtazi.
Sipas tij, institucioni ku ruhen provat për këtë rast nuk udhëhiqet apo nuk është udhëhequr nga pushteti i kapur i kaluar, ka qenë një ushtrues detyre i emëruar nga Haxhiu, aty ka qenë edhe vëllai i një deputeti të Vetëvendosjes.
Ai shtoi se rasti i Astrit Deharit është trajtuar në mënyrë çnjerëzore.