Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur për takimin e nesërm Kurti-Vuçiq në Bruksel.
Ai thotë se s’duhet pasur dokument e as nënshkrim, aty ku s’ka Amerikë dhe se duhet mobilizuar të gjithë politikisht në mbrojtjen e Kosovës nga dhënia me qira Serbisë.
“Kjo është ofertë e Milloshevicit dhe pazari të cilin po e bëjnë dialoguesit e sotëm alias refuzuesit e djeshëm të Republikës së Kosovës – shtet i pavarur e sovran. Koncepti i Milloshevicit është preambulë pesë fjalëshe e planit aktual franko-gjerman. Kështu duhet përkufizuar fenomenin politik që tani po lakohet si marrëveshje gojore/deklarative kryeministrit të Kosovës me presidentin e Serbisë, athua se po bëjnë pazar një traktor të vjedhur, e jo fatin e Kosovës dhe popullit shqiptar. Ne duhet t’i konsolidojmë veprimet politike në mbrojtje të Kosovës. Ne nuk kemi kapacitet me luftua ndaj Borrelin e Lajçakun, por duhet të mobilizohemi politikisht në mbrojtjen e Republikën e Kosovës, nga dhënia me qira Serbisë, apo siç e kam përkufizuar që në fillimet e kësaj qeverisjeje ”çeçenizmit” të Kosovës, nga ky ekip tuxharësh politik. Obligimet që pretendohet të marrë Kurti, nuk guxojnë kurrsesi të ratifikohen, as me votën time, as të atyre që ndihen shqiptarë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Këtë duhet ta kemi si detyrë prioritare. Ndryshe, nëse dështojmë në ndaljen e këtij rreziku politik, shteti i Kosovës shndërrohet në “krahinë autonome” të Serbisë”, vlerëson ai.
Sipas Berishës, zhvillimet politike që pritet të ndodhin janë të orientuara nga Beogradi dhe se e favorizojnë atë dhe Kurtin.
“Këto zhvillime që pritet të ndodhin e që po mundohen të kamuflohen në zhurmën e krizave periferike të njëpasnjëshme që po improvizon “byroja politike” e partisë shtet, të kësaj qeverie, janë veprimet e koordinuara ekskluzive të shërbyesve të Beogradit. Të gjithë treguesit politik çojnë kah ajo se nuk do të ketë nënshkrim të ndonjë marrëveshje, edhe s’mund të ketë as marrëveshje që do të mund të nënshkruhet nga këta njerëz pa kredi nacionale. Këto janë veprime politike të cilat e favorizojnë Serbinë dhe Kurtin, pra janë zhvillime politike ekskluzivisht në interes shtetëror serb”, thotë deputeti për Gazeta Blic.
Ai mendon se plani franko-gjerman do të jetë fitore për serbët, teksa thotë se qeveria Kurti do ta formojë Asociacionin këtë vit dhe ai shprehet kundër çdo marrëveshje që është pa njohje reciproke në qendër.
“Për serbët, është fitore të nënshkruhet plani franko-gjerman kështu siç është pa njohje, pa detyrim të ndryshimit të kushtetutës serbe, pa vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadorësh, pa detyrimet tjera që rrjedhin nga marrëveshjet tashmë të nënshkruar gjatë procesit të dialogut ndër vite. Nëse Serbia arrin ta fus në statut të “zajednicës” statusin shtetëror për kishën ortodokse dhe ta bartë nën autoritetin e “Sinidit rus”, ta formojë asociacionin, për Kosovën mendoj unë do të tregojë tolerancë për dy gjëra, liberalizimi i vizave edhe eventualisht pranimin e Kosovës ne UNESCO ose në INTERPOL, edhe këtu mbyllen zhvillimet pozitive për serbët edhe për Albinin. Ky është skenari më i “mirë” për qeverinë Kurti. Formimin e asociacionit në ketë vit, e ka me patjetër qeveria Kurti dhe atë në të gjitha variantet. Mbetëm konsistent në qëndrim kundër, për çfarëdo marrëveshje që nuk e ka njohjen reciproke. Pra, nëse nuk është pikë e parë e planit njohja e pavarësisë së Kosovës shtet sovran, jam kundër! Pa njohje, nuk e përkrahim asnjë plan dhe nuk mund ta linçojnë opozitën as kundërshtarët e platformës së tyre, siç po mundohen byroistë e qeverisë duke i krahasuar me opozitën serbe”, thekson deputeti Hisen Berisha.
Tutje, ai thekson se njohja de facto brenda planit evropian është tejet e rrezikshme dhe i shkon në favor Serbisë, e të cilën mund ta tërheq kur të dojë.
“Lëvizjet politike e diplomatike evropiane, lënë të kuptohet se patjetër po pajtohen serbët edhe vasali i tyre Kurti, të bisedojnë gjoja për të futur njohjen edhe “zajednicën” si pika të planit, i cili u paralajmërua si temë e bisedimeve në takimin e radhës në mes Kurtit dhe Vuçiq. Por, në fakt kjo është lëvizje taktike sa për të blerë kohë në favorin rus. Shpresoj se dikush në Senat apo Kongresin amerikan sa më parë ta thotë këtë. Po thuhet se Plani franko – gjerman, evropian, euroamerikan apo përfundimisht Plani VV apo Veton – Vuçiq, ka njohjen “de facto” brenda. Ky do të jetë një veprim politik tejet i rrezikshëm, që në fakt i shkon në favor Serbisë. Njohja “de facto” është në fakt njohje e një entiteti territorial, si në rastin e Kosovës, me një status të përkohshëm, nga një shtet apo nga disa shtete tjera. Kjo njohje “de fakto” mund të tërhiqet kurdo, nga shteti njohës. Po ashtu, kjo ndikon në juridiksionin gjegjësisht sovranitetin mbi territorin në rast çnjohje. Pra, me njohjen “de fakto”, nuk njihet e drejta apo nuk kemi njohje “de jure” por njihet një rrethanë faktike, përkatësisht pala e njohur apo titullari, respektivisht bartësi i sovranitetit politik në territor të caktuar, konsiderohet fakt por ilegal”, deklaron Berisha.
Ai shton se mbajtja në pushtet e Kurtit është në interes të Vuçiqit dhe se të dy duan ta mbajnë në pushtet njëri tjetrin.
Mbajtja në qeverisje e Kurit, është në interesin e Vuçiq e Serbisë! Në emër të kësaj, pra mbajtjes në qeverisje të Kurtit, pra klanit të tradhtisë, Po! Mund t’ia zgjasin duart njëri tjetrit me Vuçiqin por ndoshta jo me 27 shkurt, sepse ju duhen seriale tjera krizash. Vuçiq është tepër i interesuar dhe investon secilën ditë, që në krye të qeverisë së Republikës së Kosovës të jetë Albin Kurti. Prandaj, në platformën e tyre të veprimit politik janë krizat, ngase vetëm përmes krizave permanente, këta mund të mbahen në pushtet.
Të gjithë kryeministrat e Kosovës, kanë rënë nga pozita, për shkak se Vuçiq s’ka pasur interes ti ketë përballë, sepse ishin pengesë për Serbin, në pretendimet ndaj Kosovës – shtet i pavarur e sovran në tërë territorin e strukturuar në flamurin shtetëror, të njohur ndërkombëtarisht, nga SHBA, në kufijtë ekzistues”.
Deputeti i PDK-së paralajmëron se nesër Kurti do të nënshkruajë marrëveshje të keqe për Kosovën dhe nga kjo do të prodhohen 2-3 detyrime të rrezikshme për të ardhmen e saj.
“Nesër, 27 shkurt 2023, në Bruksel, kuislingu Albin Kurti, pritet të nënshkruajë një marrëveshje të keqe për Kosovën, e cila jo që nuk e ka në qendër njohjen por e fut Kosovën në një proces të ri politik. Nga kjo marrëveshje, do të prodhohen tri detyrime të rrezikshme për të ardhmen e integritetit territorial, sovranitetit politik dhe perspektivës zhvillimore të Kosovës.
- Obligimi i themelimit të asociacionit me komuna me shumicë komunitet serb, i cili tash do të themelohet si detyrim nga marrëveshja sipas planit franko-gjerman, jo më si detyrim kushtetues apo i marrëveshjes së vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe me një statut të miratuar e autorizuar nga qeveria e Kosovës në frymën e Kushtetutës. Por, ky asociacion si “territor serb” në trupin e Kosovës themelohet me një statut të miratuar e harmonizuar në mes BE dhe Serbisë, ku BE është arbitri dhe garantuesi në këtë rast.
- Tjetërsimi i statusit të kishës ortodokse, që e vendos mbi sovranitetin e shtetit dhe do të uzurpoj dhe tjetërsoj krejt trashëgimin shqiptare ortodokse dhe do të jetë shtet brenda shtetit.
- Ingirencat e Serbisë mbi komunat me shumicë serbe, që do t’i legalizohen me paragrafin 7, të kësaj marrëveshje. Rrjedhimisht Kosova do ta ndajë pushtetin me Serbin në mbi 10 komuna e mbi objektet religjioze me eksteritoralitet si, patriarkana e Pejës, Prizrenit, Manastiri i Deçanit, Graqanicës e të tjera, që do përfshijnë 42% të territorit dhe e bëjnë hartën e Kosovës të duket si lëkurë leopardi.
Takimi i nesërm do të sjell pranimin e planit franko – gjerman dhe pranimin e një orari për zbatimin e atij plani”, përfundon Hisen Berisha./Gazeta Blic/