Deputeti i Vetëvendosjes, Haxhi Avdyli ka sulmuar mediat dhe opozitën për takimin që pritet të mbahet sot mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka treguar se çfarë shigjeta do të lëshohen nga opozita e nga mediat nëse nuk pranohet ose pranohet plani i BE-së nga Kurti.
Më tej, ai është deklaruar se e pranon planin franko-gjerman.
“Unë personalisht jam për nënshkrim të marrëveshjes Europiane për paqe mes Kosovës e Serbisë, por edhe për kërkesat maksimaliste të Kurtit për minimalizimin e efekteve te marrëveshjeve të dëmshme të nënshkruara nga mu këta që qytetari i dënoi me votë”, ka shkruar ndër të tjera ai.
Shkrimi i plotë:
Sot gati të gjitha partitë opozitare, dhe argatët e tyre medial të gatshme do mbajnë dy shigjeta për të goditur pas shpine Kryeministrin e Kosovës
Nëse pranohet plani Europian, ku Serbia defakto njeh Kosovën, atëherë e vetmja shigjetë që u mbeten janë marrëveshjet e turpshme që i kanë nënshkruar vetë.
Nëse nuk pranohet plani Europian, do lëshonin shigjetat e izolimit të Kosovës, prishjes me Amerikën, dhe tensionimit të situatës edhe ashtu të brishtë.
Krejt këto goditje do i bënin me vetmen shpresë që ilegalisht të ulen në karrige ministrash e kryeministrash pa marrë besim qytetar, për nënshkruar më pastaj marrëveshje tjera të turpit.
Këta për gjysmë metri karrige jo vetëm që do nënshkruanin asociacion me kompetenca ekzekutive, por edhe do falnin edhe komuna të Rankoviqit, e do bënin moratorium për mosnjohje e ku di çka do jepnin.
Ata sot nëse nuk kanë kurajo patriotike që të perkrahin kryeministrin e Kosovës, se paku do bënin mirë të heshtnin kokulur duke ditur dëmet që kan sjellur me negociatat e tyre pa krye.
Unë personalisht jam për nënshkrim të marrëveshjes Europiane për paqe mes Kosovës e Serbisë, por edhe për kërkesat maksimaliste të Kurtit për minimalizimin e efekteve te marrëveshjeve të dëmshme të nënshkruara nga mu këta që qytetari i dënoi me votë.
Unë sot qëndroi fortë kundër kërkesave shovene të Vuçiqit, e në përkrahje të fuqishme për Albin Kurtin.