“Monitoroje tensionin”. Kjo ishte pika që ministri i Bujqësisë, Faton Peci, përdori si argument kundrejt ish-kryeministrit Isa Mustafa, pasi ky i fundit përmendi presidenten Vjosa Osmani në lidhje me marrëveshjen në Bruksel, duke e quajtur si juriste e zonja “e vetëshitur”.
Mustafa në postimin e tij i kërkoi Osmanit të tregojë nëse pika 7 e planit evropian bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës e kjo shkaktoi reagimin e Pecit. Ky, Mustafën e quajti “pensionist” e ekonomist të vetëshitur. Madje i bëri thirrje “ta monitorojë tensionin” sepse siç thotë Peci, Asociacioni iu la Kosovës si barrë nga pikërisht Isa Mustafa, shkruan lajmi.net.
Duke qenë se nuk është hera e parë që ish-funksionarë të LDK-së flasin në këtë gjuhë ndaj ish-kryeministrit, lajmi.net ka kontaktuar me vet Isa Mustafën për ta pyetur në lidhje me qëndrimin e tij për këto komente të Pecit.
Mustafa nuk është kursyer aspak në përgjigjen e tij, duke thënë se nuk merret me “rrugaçë”, e rrjedhimisht, as me ministrin Peci. Madje, ky i fundit sipas Mustafës është “fëmijë i rrugës” të cilin Vjosa Osmani e Albin Kurti e kanë bërë ministër.
“Me rrugaçët nuk jam marrë asnjëherë, prandaj nuk shoh arsye të merrem as me Pecin. Është thjeshtë një sjellje e një fëmiu të rrugës, të cilin Vjosa dhe Albini e kanë bërë ministër”, ka thënë Mustafa për lajmi.net.
E gjithë kjo polemikë erdhi pasi që dje ish-kreu i LDK-së tha se pika 7 e marrëveshjes së propozuar nga BE, e “përqafuar” nga Kurti nënkupton një formë vet-menaxhimi për serbët në Kosovë.
Ai kërkoi nga presidentja Osmani, të cilën e quajti jurist “të vetëshitur” që të tregojë nëse kjo pikë është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, në aspektin e asaj se a parasheh akti më i lartë juridic të drejta asimetrike për komunitetet, që serbët të kenë të drejta kolektive të vetmanaxhimit, e komunitetet tjera jo. /Lajmi.net/