Që nga orët e para të mëngjesit është duke u zhvilluar një aksion në kuadër të rastit ‘Brezovica’. Prokuroria Themelore në Ferizaj, bashkë me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë ATK-në dhe Doganën po kryejnë bastisje në disa auto sallone, shtëpi private e lokale tjera përcjellëse në Prishtinë, Ferizaj, Vushtrri dhe Lipjan, raporton Gazeta Sinjali.
Cak i bastisjes është edhe auto salloni ‘Lipjani’ në rrugën magjistrale Prishtinë – Ferizaj, saktësisht në Çagllavicë.
Sinjali mëson se ky auto sallon është rrethuar me shirita dhe tashmë janë sekuestruar edhe disa vetura.
Ndryshe,14 persona kanë rënë në pranga gjatë aksionit të sotëm nga Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, Njësinë e Hetimeve të Administratës Tatimore të Kosovës dhe Njësinë e Hetimeve të Doganës së Kosovës, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për lëshimin e urdhëresës për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive, lokaleve përcjellëse dhe auto salloneve- zyrave të ndërmarrjeve.
Këtë e ka bërë të ditur Prokuroria përmes një komunikate për media, ku ndër të tjera thuhet se gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: para, vetura, armë dhe dokumente të ndryshme.
“Gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur një numër i madh i autosalloneve, shtëpive dhe lokaleve përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt,Vushtrisë, Lipjanit, komunës së Vitisë, ku, me ç’rast janë arrestuar 14 persona të dyshuar”, thuhet në njoftim.
Të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja”, “Shmangia nga tatimi” dhe “Detyrimi”.