Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari, e ka kritikuar prokurorinë e shtetit se nuk po merr asnjë masë për ta zbardhur rastin e zhdukjes së mostrave të djalit të tij, i cili kishte vdekur në burgun e Prizrenit në rrethana të dyshimta.
Sipas tij, ky rast qëllimisht nuk po zbardhet dhe kjo është një barrë e rëndë për familjen.
“Shtatë vjet mos me u zbardh një rast është barrë 4e rëndë, jo vetëm për familjen, por edhe për qytetarët. Edhe ky rast s’zbardhet qëllimisht. Nuk ka mundësi që një sistem juridik mos ta zbardhi një rast për një vdekje që ka ndodhur në burg, në duart e shtetit. Është e pamundur. Me qellim s’po zbulohet”, tha ai në Debat Plus.
Ai tha se e ka përjetuar mjaft rëndë lajmin për zhdukjen e mostrave, teksa ka thënë se ky krim duhet të zbardhet sa më shpejt.
“Vjedhja është bërë në laborator, ky është rast i rëndë, është krim. Prokurori në vend që të marrë masa e të angazhohet më tepër, e dërgon si çdo herë nuk ndërmerr asgjë”, ka thënë ai.
Dehari tha se lajmin për zhdukjen e mostrave e kanë mësuar nga mediat, teksa shtoi se kjo nuk është hera e parë që mostrat e djalit të tij zhduken apo dëmtohen.