Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian për të aprovuar lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës nga 1 janari 2024, do ta katërfishonte fuqinë e pasaportës së këtij vendi, sipas Besart Bajramit, themelues i VisaGuide.World.
Aktualisht, Kosova është në pozitën e 195-të në Passport Index, i cili rendit pasaportat e gjithsej 199 shteteve, qytetarët e të cilave kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza në vendet e tjera.
“Në Indeksin VisaGuide.Passport, pasaporta e Kosovës renditet në pozitën e 195-të me notën e pasaportës 10.39. Poshtë Kosovës renditen pasaportat e Irakut, Sirisë, Somalisë dhe Afganistanit. Në rast të liberalizimit të vizave nga BE-ja, Kosova do të lëvizte 93 pozita më lartë, në vendin e 102-të, dhe fuqia e pasaportës pothuajse do të katërfishohej, duke arritur në notë 38.93”, ka theksuar Bajrami.
Megjithatë, sipas Bajramit, vendi ballkanik do të mbetej në fund të listës në krahasim me pasaportat e shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, pavarësisht se do të ngjitej me 93 pozita në Indeksin e Pasaportave të VisaGuide.World.
Këshilli i BE-së miratoi qëndrimin e tij në lexim të parë lidhur me udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës.