Prokuroria Themelore e Pejës ka urdhëruar ngrirjen e mbi 80 parcelave në Pejë, Gjakovë, Deçan, Klinë dhe Istog, pasi Apeli e ka vërtetuar fajësinë e biznesmenit Agron Kelmendit për uzurpim të pronave.
Kelmendi pronar i një kompanie të patundshmërive në Pejë, kishte bërë dhurata të pazakonta vite më parë. Ai u kishte falur parcela toke personave të njohur si ish-kryetarëve të komunave, ish-gjyqtarëve, zyrtarëve policorë e artistëve, në pesë komuna të rajonit të Dukagjinit.
Në mesin e figurave të ndryshme publike që morën si dhuratë një parcelë toke ishte edhe ish-deputeti i LDK’së, Fetah Rudi.
Rudi ka deklaruar se i ka pranuar 3 ari e gjysmë tokë. Madje këtë tokë ai edhe e ka deklaruar si donacion në vlerë prej 15 mijë euro në regjistrin për deklarimin e pasurisë.
“Nuk e di në cilin vit por më ka thirrë, tha ju kemi nda familjeve të dëshmorëve, njerëzve që kanë kontribu, kryetarëve, në mesin e tyre tha të kemi zgjedhë edhe ty edhe çka mi thanë tjetër veç i kam thënë faleminderit 3 ari e gjysmë”, tha Rudi për Express.
Tutje, ish-deputeti Rudi tha se kjo pronë ndodhet diku te Rugova dhe përshkroi se si duket vendi.
“I rrafshët me asfalt, e kam pa nuk e kam perdorë. E di që ma ka dhuru, ma ka qitë në emër temin edhe kaq”, u shpreh ai.