Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja e ka cilësuar “një turp” gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, derisa ka thënë komunikatat e UÇK-së kanë prodhuar përndjekje ndaj kundërshtarëve politikë.
Ai ka thënë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk ishin krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sepse njëri prej themeluesve të UÇK-së ishte Adem Jashari dhe jo Hashim Thaçi”, ka thënë ai.
Në një intervistë për televizionin nga Shqipëria, MCN, Ramabaja ka deklaruar se është dëshmuar se janë malltretuar 12 anëtarë të LDK-së në Drenicë.
“Kjo është turp, e ashtuquajtur krerë të UÇK-së, respektivisht Hashimi me Kadriun, janë ardhur deri në pozicionin të mos i pranojnë as kumtesat që i kanë shkruar vetë, sepse përmes atyre kumtesave, de facto kanë prodhuar kundërefekte politike. Për shkak të disa prej kumtesave, janë përndjekur dhe vrarë kundërshtarët politikë realisht, oponentët real politikë, duke filluar nga udhëheqësi politik i LPK-së e deri te zyrtarë të LDK-së për të cilët u dëshmua se janë malltretuar 12 sosh në Drenicë”, deklaroi ai.
Ramabaja ka përmendur edhe komunikatën numër 59.
“Për këtë komunikatë Hashim Thaçi kishte bërë çmos që disi autorësinë ta shpërndante, njëherë tek Rexhep Selimi, e pastaj ka bërë përpjekje që të ma hedh edhe mua, ç’është e vërteta, por dje Prokuroria e verifikoj se përmes shkuarjeve tinëzare që ka bërë atje, ai ka pasur pretendime që ajo komunikatë t’i hidhet sërish dikujt tjetër. Por, edhe Rexhep Selimi, edhe Jakup Krasniqi e kanë verifikuar se atë komunikatë e ka shkruar Hashim Thaçi”, ka thënë Ramabaja.