Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka mohuar se ka probleme me kryeministrin Albin Kurti. Ajo thekson se koalicioni qeverisës është stabil, derisa thotë se të gjitha përpjekjet për t’i përçarë dhe paraqitur kinse ka qëndrime të ndryshme në kabinetin qeveritar, janë naive.
Kryediplomatja kosovare thotë se është në linjë të njëjtë me kryeministrin Kurti për marrëveshjen bazë të arritur me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të ujdisë.
Duke nënvizuar përkrahjen ndaj Kurtit në strategjinë që ka zgjedhur në këtë proces, Gërvalla shton se ka takime të rregullta ndërmjet krerëve institucionalë, në të cilët është gjithmonë e pranishme.
“Jam pjesë e të gjitha proceseve, përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministres. Nuk kam asnjë problem, përkundrazi kam përkrahur kryeministrin në strategjinë e zgjedhur”, thotë Gërvalla për kp.
Gërvalla, por edhe deputetët e Partisë Guxo që janë në Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë qenë më të heshtur pas arritjes se marrëveshjes bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të saj, duke mos e komentuar të njëjtën.