Një profil i gazetës holandeze ‘De Volkskrant’ e përshkruan Hashim Thaçin si një personazh që ndërkombëtarët e kishin frikë si lider rebel dhe e donin si politikan. “Ai donte të bëhej burrë shteti dhe u bë president i Kosovës”, shkruan e përditshmja holandeze. Tani ai ndodhet në një qeli në Hagë, i akuzuar për rreth 100 vrasje, krime të tjera lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gazeta holandeze ‘De Volkskrant’ e ka cilësuar Hashim Thaçin si “gjarprin e pamëshirshëm të Kosovës”, në një profil të gjatë të publikuar sot të ish-drejtorit të Drejtorisë Politike të UÇK-së që më vonë do të bëhej edhe President i Kosovës.
“Hashim Thaçi ka qenë gjithmonë kërkues. Në Prishtinë ka studiuar filozofi dhe histori, dhe më pas në Zvicër Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe historinë e Ballkanit. Më pas, duke u ngjitur në radhët e UÇK-së të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai nuk pushoi derisa u bë lideri më i lartë, më i fuqishëm dhe më i frikshëm nga të gjithë”, shkruan sot De Volkskrant, me autor gazetarin Michael Maas.
Autori Maas shkruan se pasluftës, Thaçi kishte një qëllim: të bëhej udhëheqës politik i Kosovës.
“Dhe as kjo nuk i mjaftoi: ai do të bëhej president dhe do të donte të ishte edhe burrë shteti. Dhe kur më në fund ia arriti qëllimit, u arrestua”, vijon shkrimi i publikuar në De Volkskrant.
De Volskrant shkruan se tri vite pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e vitit 2007, doli raporti i Këshillit të Evropës, i iniciuar nga senatori zviceran Dick Marty, në bazë të së cilit do të themelohej Gjykata Speciale më 2017.
“Do të duhej të pritej deri në vitin 2020 para se të ndodhte përfundimisht [arrestimi i Thaçit, v.j], por arrestimi i tij nuk ishte më i papritur. Sipas aktakuzës, ai është përgjegjës për zhdukje, përndjekje dhe tortura dhe për afro 100 vrasje, jo vetëm të serbëve, por edhe të kundërshtarëve në UÇK-së. Kjo befason edhe ata pak njerëz që e njohin. Bashkëluftëtarët thonë se si udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare, politikani i butë dhe pragmatik Hashim Thaçi ishte ‘i pamëshirshëm dhe i frikshëm’”, shkruan e përditshmja holandeze.
Gazeta shkruan se arrestimi Thaçit në vitin 2020 e anuloi edhe një moment tjetër të lavdishëm për Thaçin.
“Ai dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq po shkonin në një takim të nivelit të lartë në Uashington dhe ndoshta përfundimisht do ta vulosnin atje Pavarësinë e Kosovës me ndihmën e Amerikës”, shkruan De Volskrant.
Disa ditë para atij samiti në Uashington, ai u dërgua në Hagë dhe samiti u anulua. /Paparaci.com