Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq nuk do të mund të takohet me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. E kjo, do të ndodh pasi Haradinaj ka refuzuar takimin me kryeministrin shqiptar, shkruan Gazeta Sinjali.
Abazoviq, gjatë qëndrimit të tij tre ditor në Kosovë, përveç kryeministrit Albin Kurti, ai është takuar edhe me kryetarët e partive të tjera opozitare të Kuvendit të Kosovës.
Derisa PDK dhe LDK ia hapën dyert për ta mirëpritur kryeministrin e Malit të Zi, dyert e AAK-së do të jenë të mbyllura për Abazoviqin.
Gazeta Sinjali merr vesh nga burimet brenda AAK-së se Haradinaj ka refuzuar takimin me Abazoviqin.
Çështja e demarkacionit dhe nënshkrimi i marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe, janë arsyet që kanë shtyrë Haradinajn ta refuzojë ftesën për takim.
“Kanë kerkuar takim zyrtar të kabinetit të tij, por Haradinaj ka refuzuar pikërisht për shkak të qëndrimeve të tij, duke përfshirë edhe çështjen e demarkacionit por edhe bashkëpunimin me Kishën Ortodokse Serbe”, u shpreh ky burim.
Qëndrimet e Haradinajt për Demarkacionin
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Marrëveshja ishte nënshkruar atë kohë nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa nga pala malazeze kishin nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Llukshic, e ministri i Brendshëm, Rashko Konjevic.
Kuvendi i Malit të Zi e kishte ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa atë e kishte kundërshtuar opozita e mëparshme në Kosovë, përfshirë edhe Ramush Haradinajn. Ndërsa pasditen e 21 marsit të vitit 2018, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi kishte miratoi demarkacionin pas katër herë ndërprerjesh.
Komisioni Evropian i kishte vënë kusht Kosovës për liberalizimin e vizave, pikërisht ratifikimin Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Haradinaj ka qenë i zëshëm kur bëhej fjalë “falja e tokës” të Kosovës. Vitin e kaluar, ish-kryeministri i Kosovës kishte thënë se dy nga tri dokumentet, kufirin e Kosovës e përcaktojnë në Qafë të Çakorrit dhe në Kullë të Zhlebit.
“E vërteta është vetëm një. Dy nga tri dokumentet e miratuara, në Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, e përcaktojnë kufirin në Qafë të Çakorrit dhe në Kullë të Zhlebit”, kishte thënë Haradinaj.
Çfarë parashikon marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe?
Marrëveshja mes Abazoviq dhe Kishës Ortodokse Serbe përmban disa pika të cilat pretendohet se adresojnë marrëdhëniet midis qeverisë malazeze dhe kishës serbe.
Fillimisht, marrëveshja përcakton obligimet e shtetit malazez ndaj institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe:
Ajo e detyron qeverinë malazeze të njohë imunitetin diplomatik apo të drejtat ekstraterritoriale të institucioneve të Kishës Ortodokse Serbe në vend – gjë që i përjashton ato nga juridiksioni / ligjet lokale;
Qeveria është e detyruar të regjistrojë të gjithë kishat ortodokse në vend nën juridiksionin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të nisë procesin e pagesës së dëmshpërblimit për të gjithë ndërtesat e konfiskuara nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore.
Marrëveshja përcakton që Kisha Serbe nuk ka nevojë të marrë leje nga qeveria malazeze për të lëvizur objekte të trashëgimisë kulturore të cilat janë të regjistruara nën pronësinë e saj;
Gjithashtu, ajo i jep Kishës Ortodokse një status juridik i cili në disa zona, parashikohet të jetë i njëjti me atë të institucioneve qeveritare;
Së fundmi, ajo parashikon mundësinë e shtrirjes së mësimeve fetare në shkolla publike dhe kontrollit dhe aprovimit të tyre vetëm nga Kisha Serbe.
Problemi kryesor me vendosjen e një sasie kaq të madhe pushteti në duart e një kishe të vetme – asaj Serbe – është fakti që komuniteti ortodoks në Mal të Zi nuk i takon vetëm drejtimit serb.
Sipas censusit të vitit 2011, 72% e popullsisë malazeze identifikohen si të Krishterë Ortodoks – prej të cilëve, rreth 70% identifikohen si pjesëtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që do të thotë se pjesa e mbetur – 30% identifikohen me rivalen e saj, Kishën Ortodokse Malazeze.
Më pas muslimanët përbëjnë një tjetër 20% të popullsisë dhe katolikët apo fetë e tjera, përqindjen e mbetur.
Abazoviq gjatë vizitës në Kosovë ka thënë se është i bindur se ai ka bërë gjënë e duhur kur kishte nënshkruan marrëveshjen me Kishën Ortodokse Serbe.
“Unë jam kryeministër që ka dëshirë t’i ndërroj gjërat. Ata që kanë qejf të jetojnë në vitet’90-ta, në status quo, ua pranoj si mendim. Por unë kam qenë drejt”, është shprehur Abazoviq.
“Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi është organizata më e madhe fetare. Kemi marrëveshje edhe me Bashkësinë Islame, Bashkësinë Herbreje, Kishën Katolike. Kemi dashur që t’i sjellim të gjithë në nivel sa i takon ligjit”.
“Është hera e parë kur me marrëveshje kemi marrë obligime. Është njohje. Ata kanë hyrë në sistemin ligjor të Malit të Zi. Kjo nuk ka ndodhur përgjatë 30 vjetëve të Millo Gjukanoviqit, sepse kanë dashur që ta mbajnë si çështje që kur të vjen koha e zgjedhjeve ta aktivizojnë”, tha ai.