Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier e ka konfirmuar zyrtarisht se Kosova është përjashtuar nga ushtrimi “Defender 23” si masë sanksionuese pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka mbajtur konferencë për shtyp sot me disa media në Kosovë duke deklaruar që ka kërkuar urgjentisht nga kryeministri Albin Kurtit që të tërheq Policinë e Kosovës komplet prej tri ndërtesave të komunale në veri të vendit, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveqan.
Ambasadori Hovenier theksoi që në mungesë të reagimit nga Qeveria e Kosovës në këtë kërkesë të SHBA-së dhe në mungesë të çfarëdo shenje se qeveria po punon në shtendosjen e situatës në veri, SHBA ka vendosur ta përjashtojë Kosovën nga ushtrimi i NATO-së Defender 23.
Po ashtu, “do të ndalim githa përpjekjet për të ndihmuar Kosovën në njohje me shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare”.
“Kriza që është krijuar ka qenë totalisht e panevojshme, kryetarët e komunave kanë pasur mundësi të punojnë prej ndërtesave tjera administrative që gjenden në këto komuna, pra s’ka qenë fare e domosdoshme të insisitojnë të hynë në këto objekte” – tha Hovenier gjatë bisedës me gazetarë.
Hovenier mes tjerash theksoi që në këtë situatë nuk mund të pritet që ka çfarëdo disponimi për vizita të zyrtarëve të Kosovës në SHBA dhe anasjelltas.
Lidhur me pyetjet se a po qortohet edhe Serbia që i ka dërguar trupat e ushtrisë në afërsi me kufirin e Kosovës, Hovenier tha që kurrë nuk është lajm i mirë që një shtet fqinj të mobilizojë forcat që të kërcënojnë nga veriu, por në këtë moment është më urgjente që qeveria e Kosovës t’i ndal aksionet e veta në këto 3 komuna.