Gjykata Kushtetuese e ka dënuar diskursin publik të krerëve të shtetit, ku në një reagim për media, Kushtetuesja ka përmendur presidentin dhe kryeministrin në detyrë për paragjykim në vendimmarrjen e saj duke shtuar se nuk iu nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve.
“Gjykata Kushtetuese po ndjekë me shqetësim diskursin publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re. Gjykata Kushtetuese e dënon ashpër këtë ndërhyrje në pavarësinë e vet institucionale, si dhe përpjekjen e akterëve politik dhe institucional për të përfshirë Gjykatën Kushtetuese në debate politike ditore”, thuhej në reagim.
Lidhur me këtë, profesori Riza Smaka, ka thënë për gazetën “Bota sot” se nuk duhet të ushtrohet asnjë ndikim para marrjes së vendimit nga Gjykata.
“Veçanërisht subjektet politike jo vetëm, tani kur ndodhet rasti juridik në Gjykatën Kushtetuese por përgjithësisht nuk do të duhej në asnjë farë mënyre të ushtronin ndikesa para gjykimit, përkatësisht para vendosjes së rastit juridik të caktuar”, është shprehur ai.
Sipas Smakës, Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej të ndikohej nga deklarata e pikëpamje, pasi shprehja e mendimeve është e lirshme dhe se rasti aktual në Gjykatë është i rëndomtë, i qartë dhe i thjeshtë.
“Tek e fundit, as Gjykata Kushtetuese nuk do të duhej të influencohej nga deklarata e pikëpamje juridike të manifestuara në okazione të caktuara. Tek e fundit shprehja e mendimeve është e lirshme, me asnjë provizion e ndaluar. Rasti juridik aktual në Gjykatën Kushtetuese është i rëndomtë, i qartë, i thjeshtë dhe nuk ka vend për zhagitje”, ka deklaruar profesori Riza Smaka për “Bota sot”.
Discussion about this post