Zgjedhja e Qeverisë Hoti po kontestohet nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ajo e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese votën e deputetit Etem Arifi, e tani pritet që njësoj të veprojë edhe me votën e deputetit Haxhi Shala, i cili publikisht ka deklaruar se votën e ka dhënë për hir të presidentit dhe liderit të AAK-së, të cilët e kishin vizituar në shtëpi në ora 1 pas mesnate, një ditë para votimit të Qeverisë Hoti.
E profesori Riza Smaka thotë se deputeti që dënohet, e humb statusin e deputetit dhe vota e tij është e pavlerë sipas Kushtetutës.
“Deputeti që dënohet me burg mbi një votë, e humb statusin dhe mandatin e deputetit. Vota e deputetit të tillë është nule, juridikisht e pa vlerë, pra është inekzistente konform nenit 70 të Kushtetutës dhe nenit 25 të Rregullores së Kuvendit. Po ashtu konform me nenin 70 par. 1 të Kushtetutës deputeti kurdoherë duhet të votojë lirshëm pa asnjë farë presioni”, është shprehur ai.
Ndërsa, sa i përket rastit të deputetit Shala, profesori Smaka thotë se ai i është nënshtruar mandatit detyrues dhe vota e tij është defektoze.
“Së andejmi, përderisa vet deputeti Shala më parë ka pas deklaruar se ishte kundër formimit të Qeverisë por pas ndërhyrjes së Presidentit Thaçi e ish kryeministrit Haradinaj, një orë pas mesnate, pa pandehur se ka pas bërë koncesion del se kur ka pas votuar për formimin e Qeverisë i ka qenë nënshtruar mandatit detyrues. Ndaj, vota e z. Shala juridikisht del të jetë defektoze. Në vendin tonë që është shter juridik por larg shtetit të së drejtës, pothuajse është praktike që disa funksionarë publike nuk e përfillin rendin juridik dhe të njëjtin e perversojnë me postulate politike ditore”, ka deklaruar Riza Smaka për “Bota sot”.
Discussion about this post