Ish-nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ditë më parë ka deklaruar se është përjashtuar nga kjo parti, arsye kjo që tashmë e ka çuar atë të mendojë për një iniciativë të re politike, shkruan GazetaBlic.
Largimin e saj e kanë mirëpritur edhe në kryesinë e ngushtë të kësaj partie, gjersa kanë shtuar se vendimi i saj s’e dëmton aspak LDK-në. “Ndoshta është hajër”, ka qenë përgjigja e nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova dhënë GazetësBlic.“Largimi i saj s’e dëmton Lidhjen Demokratike të Kosovës, jo veç ajo, por kushdo që largohet s’e dëmton LDK-në. Nganjëherë e themi në gjuhën popullore ndoshta është hajër. Pra, është vendim i saj”, thotë Rugova për GazetaBlic. Njëjtë janë shprehur edhe nënkryetarë të tjerë dhe zyrtarë të kësaj partie.
E, mendim ndryshe kanë njohësit e çështjeve politike në vend. Sipas Shemsi Jasharit, largimi i Osmanit mund të dëmtojë LDK-në, por që s’e faktorizon atë. Duke kritikuar mënyrën se si ka ndodhur kjo, Jashari shton se filtrimi me VV-në, sipas tij, e nxjerr atë si jo të besueshme.
“Largimi i Vjosa Osmanit nga LDK-ja po bëhet në një mënyrë jo të mirë, ndonëse ajo thirret në parime dhe në besnikëri ndaj elektoratit të saj. Filtrimi me Lëvizjen Vetëvendosje e nxjerr jo të besueshme, ngase mendoj se beteja e saj për reformimin e LDK-së duhej të bëhej brenda LDK-së dhe jo duke e sulmuar partinë e saj, e cila e ka sjellë deri këtu. Largimi i saj nga LDK-ja do ta dëmtoj deri në një masë dhe për më shumë do t’i nxisë një përçarje të brendshme, duke etiketuar çdo zë kundërshtar të gjeneratës së vjetër si përkrahës të porositur të Vjosa Osmanit”, thotë ai.“Iniciativa e paralajmëruar nga Vjosa Osmani mund të marrë një numër të votave sa për të kaluar pragun, por jo aq sa mendon ajo, pasi s’ka strukturë në terren dhe koalicioni me Vetëvendosjen do ta rritë VV-në, por s’mund të merr mandate me iniciativën e vetë, pasi votat koncentrohen vetëm tek Vjosa. Me një fjalë, largimi i Vjosa Osmanit mund të dëmtojë LDK-në, por nuk do ta faktorizojë Osmanin”, vlerëson ai.
Në anën tjetër, gjatë një interviste dhënë REL-it, Osmani e ka lënë të hapur mundësinë që t’i rikthehet sërish LDK-së, por vetëm nëse kjo parti reformohet.“Unë do të pres të shoh se çka do të ndodhë në LDK përgjatë këtyre viteve. Nëqoftëse aty vërtet ka një lëvizje për reformim, i cili i sjell në pah njerëzit, të cilët e mbajnë fjalën publike, kanë përgjegjësi për fjalën publike, nuk përzihen me parti, të cilat janë shquar për krim e korrupsion, por janë vërtet të interesuar që nëpërmjet qeverisjes së pastër dhe qeverisjes vetëm me partnerë të tjerë të pastër ta bëjnë Kosovën shtet ku ka shpresë, sidomos për rininë tonë, atëherë natyrisht që unë do të rikthehem”, ka thënë Osmani./GazetaBlic
Discussion about this post