Një debat i shtrembër po bëhet këto kohë në Kosovë në lidhje me Presidentin e ri të Republikës. Në vend të diskutohet mbi staturën apo kriteret që Ai mund të plotësojë, flitet pa fund për negociatat ndërmjet zyrave të partive të vjetra, që e fusin qerthullin në zgjedhjen e një presidenti “pulë” siç thoshte Arbën Xhaferi, pra një marionetë të partive.
Në fakt ajo që opinioni publik duhet të debatojë është mbi identikitin dhe të dhënat që duhet t’i ketë një kryetar shteti në kushtet aktuale të një Kosove të ndarë e të lodhur nga konflikti e polarizimi i skajshëm politik.
Një emër që duket se po del natyrshëm në diskutin publik për presidentin e ri është natyrisht edhe Bekim Jashari, kryetari i komunës së Skënderajt. I angazhuar në politikë vetëm tre vjet më parë, Jashari duket se plotëson një numër kriteresh të rëndësishme për të qenë një figurë me shumë përbashkuese dhe e denjë për të drejtuar shtetin.
Është vetëm 45 vjeç, nje gjeneratë e re siç është shumica e popullsisë në Kosovë; i përket një familjeje që u shua për lirinë e Kosovës dhe ka dashurinë e respektin e të gjithëve pa asnjë dallim.
Në 3 vjet të mandatit të tij politik në krye të Drenicës, zonës që është mjaft e polarizuar politikisht e që voton PDK-në, Jashari ka treguar të mbajë ekuilibrin duke dalë thuajse gjithmonë kundër qëndrimeve të krerëve të PDK-së, e pa pësuar thyerje me elektoratin e tij.
Pra ka treguar praktikisht se është një lider i vërtetë, që nuk pyet për interesa elektorale por është marrë me punë dhe diskutime në princip.
Në debatin nacional ka qenë gjithmonë kritik ndaj klasës politike për çështjet që nuk kanë shkuar por nuk e ka ndarë e polarizuar vendin; ka përdorur argumentin dhe jo polarizimin.
Elita politike e Kosovës i druhet Bekim Jasharit pikërisht prej reputacionit të tij, e këtë ai e ka shfrytëzuar vetëm për mirë. Nuk është korruptuar dhe ka qenë gjithmonë partisan jo i ziafeteve por i punëve në komunitet, me një fjalë i ka të gjitha të dhënat e një udhëheqësi.
Thonë se është afër Vetëvendosjes, por PDK nuk guxon t’i dalë kundër, madje në bastionin e saj i hapi rrugë në kandidimin si i pavarur, ngaqë Familja Jashari është një institucion i paprekshëm.
Po ashtu edhe LDK-ja nuk ka asgjë kundër, madje në rrjete dhe mediat pranë LDK-së Bekim Jashari është gjithmonë prezent dhe gëzon mjaft mbështetje e respekt. Natyrisht edhe Ramush Haradinaj, si pjestar i një tjetër familje heroike të Kosovës ka pasur gjithmonë një relacion perfekt me Bekimin. Me një fjalë; gëzon konsensus shumë të gjerë. Po çfarë duhet të plotësojë si kusht Presidenti? Të jetë faktor përbashkues e uniteti!
E këto Bekim Jashari i plotëson më së miri, i ri është me energji, i shkolluar dhe me një përvojë që ka qasje pozitive në administrim. Pra është shumë afër perfektes. Shto këtu logjikën, që kur Bekim Jashari, djali i Hamëz dhe nipi Adem Jasharit të shkojë në dialog në Bruksel me Aleksandër Vuçiçin përballë, si do të ndihet ish-kamarieri Sheshelit. Do e pyesë Bekimin: Razumesh srbski? Asnjëherë!
Në mos i thotë: A u lodhe bac…!/ Pamfleti
Discussion about this post