Kuvendi zgjedhor në të cilin Agim Ademi u rizgjodh president i Federatës së Futbollit të Kosovës në mënyrën më jodemokratike të mundshme të mërkurën mund të përkufizohet më së miri me një debat të tmerrshëm televiziv.
Faruk Statovci, trajner i KEK-ut në Ligën e Dytë apo kategorinë e tretë të futbollit në vend, dhe Ramiz Shala, një ish-delegat i klubit të Drenicës në Superligë, zgjodhën gjuhën më të papërshtatshme dhe më të pahijshme për të debatuar për çështjen e shefit të institucionit më të lartë të futbollit në vend.
Derisa Ademi po rizgjidhej president i FFK-së në një kuvend ku askujt tjetër nuk iu lejua të kandidojë kundër tij dhe mediave e gazetarëve iu mbyll me dry dera e federatës, Statovci po i jepte me të katërtat për ta mbrojtur 60-vjeçarin në Kanal 10.
“A është i dënuar [Ademi]?” e pyeti Statovci Shalën fillimisht.
Shala iu përgjigj: “Është dënuar nga dy shkallë gjykata themelore dhe ajo e apelit, gjykata të Kosovës.”
Shala po i referohej një rasti nga viti 2019 kur Agim Ademi ishte dënuar me 9 muaj burgim efektiv për detyrim në tentativë. Rreth 7 muaj më vonë, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e mësipërm duke i shpallur fajtorë të akuzuarit për detyrim në tentativë. Megjithatë, ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata Supreme, e cila urdhëroi që gjykimi për këtë rast të nisë nga fillimi, pra nga shkalla e parë.
Debati famëkeq vazhdoi më pyetjet e Statovcit në mbrojtje të Ademit: “Por ku është Agim Ademi tani? A nuk e patë që sapo u zgjidh kryetar a? A nuk e patë që stacionin e policisë e ka rreth 10 metra larg federatës? Qysh njeriu i dënuar është zgjedhur kryetar i federatës?”
Shala nuk u përmbajt dhe e akuzoi rëndë trajnerin e futbollit: “Unë e di që çifti yt dhe të atyre që janë të manipuluar dhe që blihen me nga pesë euro ju konvenon ta kenë një kryetar të dënuar. Ti dhe të tjerët bliheni me nga pesë euro, bash ti.”
Akuzat e Shalës ia vluan gjakun Statovcit, i cili ia ktheu kështu atij: “Një gjë po ta them, më kë thënë në një emision ‘nuk e di alfabetin’… shiko mos fol se unë kam ardhur për hatër të televizionit sepse unë nuk bie në nivelin tënd. Kur unë kam luajtur futboll, ti i ke ruajtur lopët në Drenicë. Ty politika të ka sjellë këtu, se ti në Prishtinë nuk ke qenë kurrë. Ti nuk e ke ditur ku gjendet Prishtina. Ti pas luftës ke ardhur në Prishtinë.”
Discussion about this post