Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është deklaruar pas deklaratës së bashkëpartiakut të saj, Haki Abazi, se ekzistojnë video-incizime ku shihet se kush i ka marrë mostrat brenda laboratorit të IML-së për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Ajo ka deklaruar se nuk e din se për çfarë e ka fjalën deputeti Abazi.
“Nuk e di për çka e ka fjalën deputeti Haki Abazi” tha Ministrja Haxhiu.
E pyetur se a ka video incizime brenda laboratorit, Haxhiu tha se duhet ta pyetni deputetin Abazi.
“Këtë pyetje duhet të ia bëni deputetit Abazi. Sipas informacioneve që unë kam pranuar nga zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, një ditë pasi që ka ndodhur ky rast, që jam njoftuar pra që janë vjedhur mostrat e Astrit Deharit, i kemi pyetur se a ka kamera këtu?- sepse shikoni, pjesa se ku ruhen mostrat, nuk ka qasje gjithkush, realisht siç e kam thënë janë vetëm tre persona që i kanë pasur çelësat e kësaj zyre, por më kanë thënë që ekzistojnë kamerat por që ato fshihen pas një kohe të shkurtër, qysh zakonshëm ndodh në institucionet tjera. Janë në krejt institucionet, specifikat që s’janë përgjegjësi e imja’, tha Haxhiu.
Deputeti Abazi tha në konferencën e thirrur për media se video incizimet janë ato që konfirmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga IML-ja.