Janë bërë pesë vjet prej që në Bruksel u nënshkruan katër marrëveshje për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në prani të shefes së atëhershme të diplomacisë evropiane Federica Mogherini, nënshkruan marrëveshjen për Telekomunikacionin, marrëveshjen për Energjinë, për lirimin për qarkullim të urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Për këtë ka shkruar edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke e quajtur “5 vjetori i nënshkrimit të ‘Zajednicës’.
“Sot janë mbushur pesë vjet prej kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. Kjo marrëveshje i shtonte lidhjet horizontale të 10 komunave të Kosovës dhe e forconte lidhjen e tyre vertikale me Beogradin”, ka shkruar Kurti.
Derisa ka renditur 21 pikat e marrëveshjes së Zajednicës, Kurti thotë edhe se marrëveshja siç e quan ai të keqe “erdhi për shkak se njerëz të papërgatitur, pa kërkesa ndaj Serbisë e pa platformë të Kosovës, e bënë shtetin tonë shumë më tepër temë sesa palë në bisedime. Pa e nxjerrur këtë mësim, vetëm sa përsëriten të këqijat. Me mënyrën e njëjtë nuk ka rezultate tjera”
Postimi i plotë i Kurtit:
5 vjetori i nënshkrimit të ‘Zajednicës’
Ditën që Gjykata Kushtetuese mori vendimin kundërshtues ndaj ‘Zajednicës’, më patën liruar nga Burgu i Sigurisë së Lartë në Kosovë. Me secilin nga shtatë kapitujt e saj, ‘Zajednica’ nuk përputhej me Kushtetutën në gjithsej 23 nene. Pra, jo në dy a tri nene, por në plot 23 nene të Kushtetutës. Asnjë serb i Kosovës asokohe nuk protestoi e as s’u ankua. Vetëm Beogradi dërgonte nota proteste.
Sot janë mbushur pesë vjet prej kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. Kjo marrëveshje i shtonte lidhjet horizontale të 10 komunave të Kosovës dhe e forconte lidhjen e tyre vertikale me Beogradin.
Bashkësia e 14 komunave me shumicë serbe në Bosnje u formua më 26 prill 1991. Më 9 janar 1992, ajo bashkësi e shpalli pavarësinë kurse me 28 shkurt 1992 e miratoi kushtetutën e vet. Ndërkombëtarisht kjo iu njoh më 14 dhjetor 1995 në Marrëveshjen e Daytonit. ‘Zajednica’ ishte përpjekja e Serbisë për bosnjëzimin e Kosovës.
Nënshkrimet e shqiptarëve në fund nuk duhet të na hutojnë. Teksti i ‘Zajednicës’ ishte i shkruar serbisht. Në vijim janë disa probleme themelore të dokumentit të ‘Zajednicës’:
Pika 2 eviton Kuvendin e Kosovës dhe thotë që ‘Zajednica’ do të jetë entitet ligjor me karakter të veçantë.
Pika 3 tregon që Statutin e miraton Asambleja e ‘Zajednicës’ e jo shteti, Republika e Kosovës. ‘Zajednica’ do ta kishte rendin vetanak juridik: Marrëveshja e 19 prillit 2013, Marrëveshja e 25 gushtit 2015, Statuti.
Pika 4 tregon që ‘Zajednica’ do të ketë kompetenca të karakterit administrativ, që në aspektin juridik do të thotë ekzekutiv: mbikëqyrje të plotë në ekonomi, arsim, shëndetësi, kujdes social planifikim urban e rural, Më tutje, ‘Zajednica’ i përfaqëson anëtarët e saj karshi Prishtinës dhe ajo vendos marrëdhënie ndërkombëatare me asociacione komunash nëpër botë. Kështu, ‘Zajednica’ shfaqet si nivel i pavarur i vetëqeverisjes.
Pika 5 thotë që ‘Zajednicës’ mund t’i delegohen kompetenca shtesë nga autoritetet qendrore. Këtë gjë nuk e mundëson Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale.
Pika 6 tregon që Asambleja e ‘Zajednicës’ mund ta amandamentojë Statutin; se ‘Zajednica’ do të ketë president dhe zv. president, këshillin me 30 anëtarë dhe bordin ekzekutiv me 7 anëtarë, administratën e vet, me një shef të saj dhe selinë e ‘Zajednicës’.
Pika 8 e barazon ‘Zajednicën’ me autoritetet qendrore, pra qeverinë e Kosovës, duke kërkuar bashkëpunimin e tyre dhe shkëmbimin e informacioneve midis tyre.
Pika 9 thotë që ‘Zajednica’ do të promovojë interesat e komunitetit serb, ndonëse aty mbi çereku i popullsisë nuk do të ishin serbë.
Pika 10 thotë se ‘Zajednica’ mund të propozojë amandamente të legjislacionit dhe rregulloreve, pra të bëhet autoritet i burimit të së drejtës, duke u barazuar me Kuvendin dhe qeverinë.
Pika 11 thotë se ‘Zajednica’ mund t’i adresohet të gjitha niveleve të gjykatave në Republikën e Kosovës.
Pika 13 tregon që katër komunat në veri të Ibrit janë bërthama e ‘Zajendicës’ me komandatin e tyre të policisë.
Pika 17 thotë se Serbia është e obliguar ta financojë ‘Zajednicën’ dhe se ajo do të lirohet nga tatimi.
Pika 19 thotë që ‘Zajednica’ mund ta shpërbëjë vetveten me 2/3.
Pika 20 thotë se ‘Zajednica’ do të ketë flamur dhe simbole të veta.
Pika 21 që thotë se Ekipi Menaxhues i cili përpilon Statutin përbëhet nga dy përfaqësues nga komunat veriore me shumicë serbe dhe dy përfaqësues nga komunat jugore me shumicë serbe, përfaqësues nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe ata të OSBE-së.
Kjo marrëveshje e keqe erdhi për shkak se njerëz të papërgatitur, pa kërkesa ndaj Serbisë e pa platformë të Kosovës, e bënë shtetin tonë shumë më tepër temë sesa palë në bisedime. Pa e nxjerrur këtë mësim, vetëm sa përsëriten të këqijat. Me mënyrën e njëjtë nuk ka rezultate tjera.
Discussion about this post