Albin Kurti dhe partia e tij Vetëvendosje më 14 shkurt shënoi një fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare.
Ndërsa në Kosovë ende nuk janë certifikuar zgjedhjet, Kurti ka gjetur kohë të shkojë në Shqipëri dhe t’i ndihmojë Vetëvendosjes atje për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ku do të garojë me tre kandidatë në Qarqet e Tiranës, Lezhës dhe Gjirokastrës.
VV e Shqipërisë përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se Kurti po qëndron atje ku së bashku me disa anëtarë të Kryesisë për t’i ndihmuar për mbledhjen e nënshkrimeve, shkruan Reporteri.net.
Njoftimi i plotë i VV-së në Shqipëri:
Vazhdon grumbullimi i nënshkrimeve
Gjatë këtij muaji ka vijuar mbledhja e nënshkrimeve nga qytetarët banues në Qarqet e Tiranës, Lezhës dhe Gjirokastrës, për tre kandidatët nga zgjedhësit të mbështetur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Shqipëri për zgjedhjet e 25 prillit: Boiken Abazi, Iliaz Shehu dhe Kreshnik Merxhani.
Prej Albin Kurtit dhe disa anëtarëve të kryesisë së LVV në Kosovë, të cilët kanë edhe nënshtetësi të Shqipërisë, tek sopranoja me famë ndërkombëtare Inva Mula, prej ish-drejtorit të Teatrit të Operas dhe Baletit Ilir Kerni, tek gazetari Blendi Salaj e shumë gazetarë të tjerë, bashkë me banorët e qytetit dhe fshatrave të Tiranës, të Kamzës, Rogozhinës, Lezhës, Gjirokastrës, Përmetit etj, mbështetja e qytetarëve me firmat e tyre vazhdon për kandidatët dhe për projektin politik të LVV në Shqipëri.
Nga ana tjetër, 3 kandidatët dhe aktivistët janë angazhuar çdo ditë në takime me qytetarë në rrugë e vende publike për të grumbulluar numrin e nevojshëm të nënshkrimeve që do të çojnë përpara tre kandidaturat në KQZ, drejt zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Puna në terren do vijon, ndaj ftojmë të gjithë qytetarët që ende nuk e kanë dhënë nënshkrimin e tyre në këto tre qarqe, të takohen me aktivistët e të firmosin formularin e KQZ-së.
Tiranë, 18 shkurt 2021
Discussion about this post