Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara lidhur me deklaratat e bëra nga opozita për kundërshtimin e propozimit evropian.
Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kritikuar pranimin e propozimit evropian nga kryeministri Albin Kurti.
Sipas këtyre dy partive, me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Lidhur me këtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara, ka bërë të ditur një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, për gazetën Reporteri.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës amerikane.
Sipas kësaj gazete, në këtë deklaratë thuhet se ShBA e ka bërë të qartë se mbështet Dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, dhe propozimin evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE. Në veçanti, ne e mbështesim plotësisht propozimin e BE-së për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përpjekjet tona të përbashkëta për ta çuar përpara këtë propozim kanë përfshirë konsultimet me partitë opozitare të Kosovës”.
Sipas këtij zëdhënësi, edhe Biden e Blinken e nënvizuan mbështetjen e fortë për propozimin e BE-së, për të çuar përpara Kosovën drejt stabilitetit rajonal e integrimit evropian e euroatlantik.
“Në nivelet më të larta të qeverisë, ShBA e kanë bërë të qartë këtë mbështetje. Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken, në komunikimet e tyre të fundit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, nënvizuan se propozimi ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë shumë Kosovën drejt stabilitetit më të madh rajonal, prosperitetit ekonomik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, shtoi ai.
Në rundin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të mbajtur më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia u pajtuan për propozimin evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
“Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, u tha në reagimin e LDK-së.
Ndërkaq, mendim ndryshe shprehu kreu i subjektit të tretë më të madh opozitar, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ramush Haradinaj e cilësoi si “arritje të madhe” pranimin e propozimit evropian.
“Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”, shkroi ai në Facebook.
Kryeminsitri Kurti e cilësoi takimin në Bruksel si konstruktiv, duke pretenduar se ai ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshje, por Serbia nuk shprehu gatishmëri.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, insistoi se Serbia si prioritet ka zbatimin e marrëveshjeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, gjë që kundërshtohet nga Kurti, i cili është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova që të themelojë Asociacionin.