Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti është deklaruar nga Shtetet e Bashkuara lidhur me takimet që do të zhvillohen gjatë këtyre ditëve.
Hoti tha se nuk e di nëse në takimin e së premtes i pranishëm do të jetë edhe presidenti amerikan, Donald Trump, por tha që delegacioni që ka shkuar nga Kosova është i përgatitur për secilin diskutim.
Hoti tha se diskutimet bazë do të jenë sa i përket energjisë, infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik në mes Kosovës, Serbisë dhe regjionit në përgjithësi.
“Kryesisht diskutime në fushën e infrastrukturës që e bëjnë Kosovën qendër të lidhjeve infrastrukturore të tregut regjional. Fokusi i këtyre projekteve, është në takimin e Shtëpisë së Bardhë. Qëllimi është që ekonomia e Kosovës dhe Serbisë të lidhen më shumë dhe të jenë në funksion të ekonomisë të dy vendeve dhe regjionit. Më pas edhe takimi me sekretarin Pompeo që dëshmon lidhjen e Kosovës dhe SHBA-së”, tha ai.
Hoti tutje theksoi se janë duke punuar në koordinim për qëndrimin e tyre në këto takime.
“Kemi një delegacion që besoj se është mjaftë i kompletuar, me personat kyç të projekteve infrastrukturore, pore dhe të politikës. Qëndrimet brenda koalicionit sa i përket dialogut dhe ardhjes këtu janë të harmonizuara që nga dita e parë, pjesë e marrëveshjes së koalicionit është dialogu dhe s’shohim alternativë tjetër, por dialog që qon në njohjen reciproke. Kurrë s’është shtruar as s’është kërku nga unë që të diskutohet për ndryshim të kufijve apo diçka. E kemi sqaru këtë çështje në platformën e dialogut, është mëse e qartë dhe këto parime ua kemi kumtuar edhe miqve tanë ndërkombëtarë. S’ka diskutim të tillë, as s’është kërku nga unë as s’do të lejojë ndonjëherë të shtrohet një diskutim i tillë. Unë kam dhënë sqarimet e nevojshme dhe kam mbajtur partnerët plotësisht të informuar, çdo bisedë që e bëjmë me Serbinë ka të bëjë me arritjen e marrëveshjes përfundimtare, dhe kjo arrihet vetëm me njohje reciproke”, tha Hoti në Klan, shkruan Indeksonline.
Hoti tha se është moment unik dhe Kosova ka vëmendjen maksimale nga vendet e BE-së dhe SHBA-së deh se duhet shfrytëzuar kjo vëmendje.
“Së pari SHBA mbështeti lirinë dhe pavarësinë e Kosovës e tash edhe konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe sigurisht do të jetë njësoj edhe tani. Është mundësi unike për koordinim të përpjekjeve tona bashkë me ta. Me Serinë takohemi vetëm për njohje reciproke. S’takohemi për gjëra tjera. Me këshilla të miqve tanë, po ulemi për një agjendë të darkorduar ekonomike, ndërmjet dy vendeve, por gjithçka është në funksion të normalizimit të marrëdhënieve në mes dy vendeve. S’ka formulë tjetër, kjo ishte e qartë që nga dita e parë e qeverisjes, në Samtin e Parisit, edhe në BE por edhe në SHBA. Është zgjidhja e vetme, njohja reciproke. Besoj se tani e kanë të qartë të gjithë, edhe miqtë tanë ndërkombëtarët. Sa herë që takohemi me Serbinë, temë kryesore është njohja reciproke. Por nga miqtë tanë ka qenë kërkesë të diskutohet për çështje ekonomike, që afrojnë më shumë ekonominë e regjionit në përgjithësi”, tha Hoti.
Kryeministri i vendit tha se janë tri projekte madhore bazuar në disa nënshkrime që janë bërë më parë:
Linja ajrore (komerciale) përmes Lufthansës, dy letrat që janë nënshkruar në shkurt për linjën hekurudhoret dhe autostradën për pjesën që tash ka mbetur ende pa përfunduar, si dhe hekurudhën që lidh Prishtinën me Durrësin e pastaj vazhdon në Serbi.
“Ka edhe projekte të tjera që i mundësojnë Kosovës lidhje të Luginës përmes autostradës së Gjilanit, pastaj asaj për Shqipëri, tek porti i Durrësit, Selanikut. Pritet të diskutohen, varet nga bisedat që do të bëhen.Jemi të përgatitur të diskutojmë këto projekte që mundësojnë integrimin. S’mund të jap informatë nëse presidenti amerikan do të jetë në takim, kemi ardhur të përgatitur për të gjitha diskutimet dhe presim të ecim përpara”, tha ai./Indeksonline/
Discussion about this post