Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci ka thënë se Lidhja Demokratike Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë qenë të martuara në 20 vitet e fundit në koalicione.
Sipas tij, çdo e keqe ka ardhur nga ta, duke filluar nga privatizimet e deri te keqpërdorimet e mëdha.
“LDK dhe PDK kanë qenë të martuar në 20 vitet e fundit. Kur e them të martuar, e them në koalicione dhe çdo gjë që ka ardhur e keqe duke filluar nga privatizimet e deri te keqpërdorimet e mëdha, humbjet e milionave deri në thesar vjen përmes LDK-së dhe PDK-së. Unë mendoj se njëra prej fajtoreve kryesore për këtë gjendje që është jemi në të gjitha raportet ndërkombëtare si shtet barazi me Somali dhe Sudan, ka qenë LDK dhe PDK. Ndërsa 3 vitet e fundit ka ndryshime të jashtëzakonshme, ku sot i kemi kaluar të gjitha shtetet në Ballkan dhe gjendemi në mesin e shteteve ku po luftohet korrupsioni”, ka deklaruar Bajqinovci në Tëvë1.
Po ashtu, Bajqinovci foli edhe për ligjet që Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese e që thotë se LDK-ja po derdh lot krokodili.
“Ata edhe në Gjykatën Kushtetuese e kanë dërguar për çmimet dhe ligjet që i kemi marrë ndërsa në anën tjetër bëhen kinse po derdhim lot krokodili se ja se si janë çmimet. Këndej e dërguan ligjin në Gjykatën Kushtetuese për të penguar këtë, në anën tjetër derdhin lot në Kuvend se ja se si janë çmimet. Andaj nuk ka koncentrim edhe te doktorët e LDK-së, se o duhet të mos i dërgojnë këto ligje në Gjykatën Kushtetuese o duhet të tregojnë se çfarë po duan, mendoj se me këtë e kanë treguar edhe vet për çfarë shkolle bëhet fjalë”, përfundoi ai.