Duke marrë parasysh situatën e krijuar për shkak të përhapjes së infeksionit Covid-19, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ditë më parë ka vendosur për shtyrjen e afatit për pagesat e kësteve të kredive.
Por qytetarët ankohen se kjo po u kushton me kamatë.
Ndërkohë, zyrtarë të BQK ishin zotuar se nuk do të ketë kamatë për këtë shtyrje të afatit.
Në një përgjigjeje me shkrim për Radio Kosovën, zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti, fton qytetarët të cilët përballen me këtë situatë, të drejtohen në BQK.
Ai thotë se pavarësisht situatës me Covid-19, BQK-ja trajton çdo ankesë të shfrytëzuesve të shërbimeve financiare dhe vepron bazuar në legjislacionin në fuqi, përfshirë edhe marrjen e masave administrative.
Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës për shkak të pandemisë Covid-19 dhe ndikimit të saj në aspektin ekonomik, kishte marrë vendim që për tre muaj të shtyhen pagesat e kësteve të kredive për të gjithë klientët e bankave.
Discussion about this post